Një zjarr, i cili ka shpërthyer në një minierë të thëngjillit në Kinë, i ka kushtuar me jetë së paku 25 punëtorëve, ndërsa ekipet shpëtimtare po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur tre minatorë tjerë, të cilët kanë mbetur të ngujuar, kanë njoftuar sot mediet shtetërore.

Agjencia e lajmeve, Xinhua, njoftoi se zjarri ka shpërthyer në minierën Lisheng, në qytetin Xiangtan, në provincën Hunan.

Pronari i minierës është arrestuar, njoftoi Xinhua.

Zjarri në minierë ka shpërthyer të martën pasdite, ndërsa ekipet shpëtimtare gjatë ditës së sotme kanë arritur të nxjerrin 16 kufoma nga miniera, ndërsa numri i përgjithshëm i minatorëve të vdekur është shtuar në 25, ka shtuar kjo agjenci.

Më shumë se 70 punëtorë kanë qenë në minierë, në momentin e shpërthimit të zjarrit, më 43 prej tyre që kanë arritur të dalin në sipërfaqe. Ekipet shpëtimtare janë vënë në kërkim të minatorëve tjerë, të cilët mendohet se janë në një platformë tjetër të minierës, rreth 600 metra nën sipërfaqen e tokës, theksoi Xinhua.

Zjarri është shuar dhe është ri-startuar sistemi i ventilimit, kështu që ka gjasa që minatorët e ngujuar të jenë ende gjallë, shtoi kjo agjenci.