Historia e 21-vjeçares që alarmoi policinë, por më pas u dënua me 4 muaj burg
Kishte denoncuar të njohurin e saj se kishte tentuar ta përdhunojë, duke mashtruar policinë, por kjo i ka kushtuar shumë. Gjykata nuk e ka falur, pavarësisht se vajza është shprehur se kishte pasur frikë për të treguar të vërtetën, duke e dënuar me katër muaj burg. Hume Bakalli, 21 vjeçe, është arrestuar dy ditë më parë, pasi është dënuar për kallëzim të rremë. Policia tha se ajo banonte në Shkozë dhe ishte shpallur në kërkim pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Tiranës, më 7 qershor të këtij viti, ku u dënua me katër muaj burg.
Historia e saj nis më 16 tetor të vitit 2009. Mëngjesin e asaj dite, Bakalli është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka kallëzuar se më 15 tetor, në orët e vona të natës një person ka tentuar ta përdhunojë. Në kallëzimin e saj, u shpreh se në afërsi të “Zogut të Zi”, ishte takuar rastësisht me Ergit Memagën, i cili i ka propozuar për të dalë dhe shkuar në një lokal me muzikë, por ajo nuk ka pranuar. Pas refuzimit të saj, sipas kallëzimit, ai e ka kapur prej flokësh dhe e ka futur në makinë, duke e çuar në afërsi të fshatit Mullet, ku e ka mbajtur për një kohë të gjatë brenda në automjet dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, por nuk ka mundur.
Sipas saj, gjatë kësaj kohe, ai i ka marrë çantën dhe portofolin, në të cilin ndodheshin 300 euro, ndërsa ajo i ka thyer xhamin e derës së pasme, duke u arratisur. Sapo ajo është larguar, ka telefonuar numrin 129 dhe forcat e policisë e kanë marrë në vendin ku ndodhej. Por, pak orë pas kallëzimit, pasi policia kishte shoqëruar edhe Memagën, që nuk pranonte këtë krim, ajo ka ndryshuar deklarimet e saj, duke pranuar se kishte bërë kallëzim të rremë. Ajo ka pranuar se atë natë, bashkë me Ergitin dhe disa djem të tjerë, kishte shkuar me dëshirë në një lokal me muzikë të lartë. Në këto kushte, ajo është kthyer nga akuzuese në të pandehur dhe prokuroria i ka përgatitur dosjen asaj. Nga dëshmitë e shtetasve Ergit Memaga, Indrit Tafa dhe Rezart Halili, të dhëna përpara gjykatës provohet fakti se Bakalli, ditën e ngjarjes ka qenë fillimisht në punë deri në orët e vona të natës dhe është dërguar në shtëpi nga Rezart Halili, i cili është pronar i lokalit, ku ajo punonte. Pasi ka shkuar në shtëpi, ajo është lidhur me anë të telefonit me Ergit Memagën dhe Indrit Tafën dhe ka shkuar e shoqëruar prej tyre, me dëshirën e saj, në një lokal me muzikë nate. Pasi kanë dalë nga lokali i natës, janë nisur për në shtëpi me makinën e shtetasit Ergit Memaga. Gjatë rrugës, midis tyre ka lindur një konflikt, fillimisht verbal, se kush do të shkonte i pari në shtëpi. Konflikti është acaruar dhe ajo ka thyer xhamin e makinës dhe ka dalë nga makina, duke u larguar me vrap. Pastaj ka marrë në telefon policinë, ku ka bërë kallëzimin sikur Memaga ka dashur të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë, megjithëse e dinte se kjo nuk ishte e vërtetë.
#