140 luftëtarë shqiptarë mes radhëve të IS, Visho Ajazi: Numri i tyre në rritje


Deklarata 


Visho Ajazi – Njerëzit duan më shumë vëmendje nga shteti, shkolla, shoqëria, komuniteti fetar, pasi janë me probleme financiare


Skënder Bruçaj – Rrjetet sociale janë një nga burimet kryesore që kjo organizatë terroriste përdor për rekrutimet e reja



Alarmi per ekstremizmin militant (1)
Alarmi per ekstremizmin militant (2)
Alarmi per ekstremizmin militant (3)

E gjithë bota është e përfshirë nga debatet për terrorizmin, në përpjekje për të ndaluar dhe bllokuar çdo rrugë të mundshme që IS përdor për rekrutim. Jashtë këtyre debateve nuk mbetet Shqipëria. Sipas Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), 140 luftëtarë shqiptarë janë rreshtuar në radhët e IS, dhe pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga shtresat e margjinalizuara.


Gjatë një aktiviteti të zhvilluar dje pikërisht me temë terrorizmin, rrugët që ai përdor për rekrutimin, hartën e tyre në Shqipëri dhe Ballkan, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika tha se, vëmendja duhet të fokusohet në institucionet arsimore, pasi janë këto institucione që gjurmohen shpesh nga ekstremistët. Ai kërkoi vëmendje të shtuar nga qeveria dhe strukturat e tjera përgjegjëse në institucione të tilla, pasi gjithnjë e më shumë po vendosen në shënjestrën e ekstremistëve për rekrutime të reja.


 


Rrjetet sociale


Gjithashtu, kreu i SHISH foli edhe për mundësinë e rekrutimeve përmes rrjeteve sociale, pa përjashtuar arsye të tjera që lidhen me edukimin, shoqërinë dhe varfërinë. Numri i atyre që hyjnë në këto rrjete është në rritje. Mbase njerëzit duan më shumë vëmendje nga shteti, shkolla, shoqëria, komuniteti fetar, pasi janë me probleme financiare, edukimi dhe duhen adresuar. Kreu i shërbimit sekret shqiptar u mëshoi më shumë problemeve ekonomike dhe financiare që paraqesin kategori të ndryshme në vendin tonë, kategori që janë më të lehta për tu rekrutuar nga ekstremistët. Në të vërtetë, pohimi i Visho Ajazi Likës duket se shkon në të njëjtën linjë edhe me statistikat e rekrutimeve, ku duket se pjesa dërrmuese e atyre që u bashkohen terroristëve janë nga zonat më të varfra të vendit.


 


Komuniteti Mysliman


Ndërkaq, për kryetarin e Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj, qeveria shqiptare duhet ta adresojë luftën ndaj ekstremizmit kundër medias online. Sipas tij, rekrutimi online është një metodë që është vënë re edhe në vendin tonë. Rrjetet sociale janë një nga burimet kryesore që kjo organizatë terroriste përdor për rekrutimet e reja, theksoi Bruçaj.


 


Trekëndëshi


Kryeqytetet si Tirana, Shkupi, Prishtina, si dhe një sërë vendesh të tjera, sipas studimit të prezantuar dje, mbeten vendet më vulnerabël ndaj rekrutimeve të ISIS. Eksperti Fabian Zhilla tha se frekuentimin më të madh e shohim në Tiranë e Shkodër për Shqipërinë; Tetovë, Gostivar e Shkup në Maqedoni, ndërsa në Kosovë janë Gjilani, Ferizaj dhe Prishtina.


 


Strategjia


Shqipëria, e rrezikuar nga terrorizmi


Në dokumentin e Strategjisë Ushtarake të Shqipërisë që është depozituar tashmë në Kuvend, ekspertët e Forcave të Armatosura analizojnë rrezikun që has Shqipëria nga terrorizmi fetar në botë. Sipas tyre, terrorizmi përbën kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë, stabilitetin e vendit. Sipas ekspertëve, Shqipëria nuk konsiderohet si objektiv, por si një vend i mundshëm transit, gjë që paraqet një rrezik për sigurinë. Sulmet kibernetike janë rrezik potencial për sigurinë globale, rajonale dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Objektiva të këtyre sulmeve mund të jenë administrata, biznesi, ekonomia, sistemi bankar, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sistemet e transportit dhe furnizimit, sistemi energjetik, infrastruktura kyçe tokësore, ajrore e detare etj., parashikon Strategjia Ushtarake. Dhe sa u përket kërcënimeve të sigurisë kombëtare, ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes nuk përjashtojnë dhe rrezikun që vjen nga krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme, që sipas tyre, do të vazhdojnë të paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë në nivel global, rajonal dhe kombëtar.


Ky shkrim Alarmi i SHISH: Terrorizmi po rekruton nëpër shkolla u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.