Nga Emirjon Senja


Hije dyshimi dhe paqartësi shoqërojnë ende vendimin për heqjen e lejes së operimit ndaj kompanisë ajrore Albanian Airlines. Nga njëra anë qëndron kompania, e cila e cilëson vendimin të padrejtë dhe të pakuptimtë vendimin, ndërsa nga ana tjetër autoritetet shqiptare, të cilat në sqarimin e vendimit i referohen vetëm zbatimit të standardeve evropiane për aviacionin civil duke mos dhënë më shumë shpjegime. Ndërkohë, mësohet se heqja e lejes së operimit në Shqipëri ka të bëjë më shumë me çështje financiare dhe arrestimin e pronarit të saj në Spanjë me akuzën e pastrimit të parave dhe lidhjeve me ish-Presidentin e Egjiptit Hosni Mubarak.


E gjitha ngjarja filloi të shtjellohej pas një mbledhje të autoriteteve të larta të Aviacionit Civil në Bruksel, të cilat vendosen tia heqin lejen e fluturimit tre avionëve të kompanisë Albanian Airlinës dhe një avioni të kompanisë Belle Air. Heqja e lejes për avionët e Albanian Airlines mësohet të jetë bërë për shkak se autoritetet nuk kane qenë të bindur për garancinë financiare të lenë nga kompania për mirëmbajtjen e avionëve, ndërkohë që leja e Belle Air është hequr për mungesë të kushteve teknike. Vendimi vjen disa muaj pasi pronari i kompanisë Albania Airlines u arrestua në Spanjë dhe u detyrua të lerë një siguri financiare 18 milionë euro për të përfituar qëndrimin në arrest shtëpie.


Kompania nga ana e saj akuzon Ministrinë e Transporteve dhe Autoritetin e Aviacionit Civil për heqjen e licencës, ndërkohë që autoritetet shpjegojnë se nuk janë ata që kanë marrë vendimin, por po zbatojnë një vendim të institucioneve të Bashkimit Evropian. Heqja e kësaj certifikate bie në kundërshtim me vendimin e marrë nga kjo drejtori katër muaj më parë, në 25 korrik 2011, ku pas prezencës së vazhdueshme të auditit nga Autoritetet Nacionale të Aviacionit Civil Shqiptar si dhe Auditorëve Ndërkombëtar të nënkontraktuar nga ky autoritet, kompania Albanian Airlines kaloi me sukses këtë kontroll dhe rinovoi certifikatën e operimit ajror për 15 muaj, afat maksimal i mundshëm, – shpjegon kompania në reagimin e saj.


Më vonë ishte radha e Autoritetit të Aviacionit Civil që të sqaronte vendimin duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për avionët e kompanisë Albanian Airlines, por edhe për një avion të kompanisë Belle Air. Ndërhyrja e Autoritetit të Aviacionit Civil bëhet në ushtrim të funksionit dhe detyrimeve që ka ky autoritet, në përputhje me standardet e ICAO-s (Organizata Botërore e Aviacionit Civil), për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e avionëve që bëjnë pjesë në Regjistrin Aeronautik të Republikës së Shqipërisë, – shpjegoi DPAC.


Kompania ka i ka dërguar dje Ministrisë së Transporteve një kërkesë për shfuqizimin e vendimit të Autoritetit të Aviacionit Civil, e cila me shumë gjasa nuk do të kthehet pasi në raste të tilla vendimet konsultohen edhe me institucionet e eprore.


 


Udhëtarët


Nga i gjithë ky zhvillim, ata që preken më shumë janë udhëtarët që kanë parashikuar të fluturojnë me kompaninë Albanian Airlines. Të dhënat e kompanisë, raportojnë për rreth 15 mijë udhëtarë që kanë rezervuar biletat pranë kompanisë dhe prisnin të udhëtonin deri në fund të muajit nëntor. Kompania Albanian Airlines zë një pjesë të mirë të tregut të fluturimeve në nga Shqipëria.