27/11/2009 Ish-presidenti
TIRANE- Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka kryer para disa ditësh një padi, ku kërkon përjashtimin e trupit gjykues, që po gjykon çështjen penale në ngarkim të tij, ku ai akuzohet nga prokuroria për akuzën e “shpifjes” ndaj deputetëve Asllan Dogjani dhe Vangjel Tavo. Sipas pretendimit të Moisiut, trupi gjykues po bën një gjykim të njëanshëm të çështjes dhe për këtë qëllim, ai i është drejtuar gjykatës me një padi, ku kërkon zëvendësimin e gjyqtarëve. Çështja me nr. 1773 është regjistruar në gjykatën e Tiranës në datën 23 nëntor dhe pritet që në ditët në vazhdim ajo të shqyrtohet nga gjyqtari Bujar Krasniqi. Ndërkohë që përveç dy emrave të sipërcituar një ish-kandidat për deputet i partisë PS-91 ka paditur për “shpifje” Alfred Moision. Ai quhet Nazmir Bilani dhe pretendon se pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Moisiu, publikoi disa emra të kandidatëve për deputet si jo të denjë për Kuvendin e ardhshëm. Publikimi i kësaj liste, solli reagime të ashpra në publik dhe midis kandidatëve, ku njëri prej tyre në listë ishte edhe Bilani.