Prej datës 26 janar çdo shërbim konsullor që ofrohet nga ambasada jonë në Athinë do të kalojë me anë të postës. Ambasada shqiptare në Greqi bëri të ditur se tashmë shërbimet konsullore do të ofrohen me postë, duke lehtësuar në këtë mënyrë qytetarët, e duke u kursyer atyre kohë, mund dhe para. Në këtë mënyrë, mjafton që të aplikohet për shërbimin përkatës dhe brenda dy ditëve aplikimi do të regjistrohet. Përjashtim do të përbëjnë vetëm dokumentet që kërkojnë praninë e aplikantit.


Marrëveshja


Marrëveshja mes Postës Shqiptare dhe ambasadës shqiptare në Greqi parashikon aplikimin për marrjen e dokumenteve të shërbimit konsullor me anë të postës dhe jo më në zyrat konsullore në Athinë, Selanik dhe në Janinë, siç ndodhte deri tani. Në këtë mënyrë, kushdo që ka dëshirë të pajiset me shërbimet që ofron ambasada jonë në vendin fqinj, mjafton që të shkojë në ambasadë dhe të marrë aty dokumentacionin e nevojshëm e ta postojë për në destinacion.


Dokumentacioni në fjalë do të jetë i njëjtë me atë që jepnin deri më sot zyrat konsullore dhe aplikanti do të mjaftohet me plotësimin e tyre, pa pasur nevojë të qëndrojë në ambasadë. Pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, atëherë aplikanti do ta dorëzojë atë në postë dhe brenda 48 orësh nga dorëzimi, e gjithë dosja e aplikimit do të dërgohet në zyrat përkatëse.


Lehtësimi


Mënyra e re e aplikimit për të marrë dokumentet e nevojshme që ofron shërbimi konsullor, përveç vizës, pritet të shkurtojë mjaft procedurat në krahasim me më parë. Sipas zyrtarëve të Postës Shqiptare të pranishëm në konferencën për shtyp, kjo metodë e bën të panevojshme paraqitjen e aplikantëve në ambasadë, apo në zyrat konsullore, duke u kursyer atyre kohë, mund dhe para, sidomos për aplikantët që banojnë jashtë Athinës.


Gjithashtu, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje me ambasadën me më shumë aplikime legalizim dokumentesh dhe certifikata e shërbime të tjera konsullore, do të lehtësojë edhe dorëzimin e dokumentacionit, procedurë kjo që i linte në radhë për disa orë qytetarët shqiptarë. Një tjetër lehtësim është edhe marrja e dokumenteve. Deri tani për t’i marrë ato mblidheshin qindra qytetarë para ambasadës, në datat e përcaktuara, e shumë prej tyre qëndron më shumë se 6 orë, në pritje të dokumenteve të tyre.


Ndërkohë që me këtë marrëveshje, dokumentet do t’i jepen poseduesit sërish me anë të postës, duke lehtësuar në këtë mënyrë të gjithë procedurën. Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji mes Postës Shqiptare dhe një ambasade. Zyrtarët e postës deklaruan se janë në tratativa edhe me përfaqësi të tjera diplomatike, për të lehtësuar qytetarët shqiptarë.