Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Nexhmi Rexhepi, ia ka dorëzuar letrat kredenciale Mbretëreshës Beatrix të Holandës.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Pallatin Mbretëror, në Hagë, më 18 nëntor.
Pasi pranimit të letrave kredenciale, Mbretëresha Beatrix, shfaqi kënaqësinë për pritjen dhe akreditimin e ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës në Holandë, si dhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij, ambasadori Rexhepi, i përcolli Mbretëreshës Beatrix falënderimet dhe mirënjohjet e qeverisë dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme që vendi i saj i ka dhënë Kosovës në momente vërtet historike e vendimtare, thuhet në një komunikatë të MPJ-së, dërguar sot medieve.
Duke folur për rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona, ambasadori Rexhepi, e siguroi Mbretëreshën Beatrix për dëshirën dhe vullnetin e popullit dhe qeverisë së Kosovës, që këto marrëdhënie të fuqizohen edhe më tej. Gjatë audiencës, ambasadori Rexhepi e njohu Mbretëreshën e Holandës me zhvillimet më të reja në Kosovë, me theks të posaçëm te zgjedhjet e suksesshme lokale dhe vlerësimet pozitive të bëra nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që kanë vëzhguar nga afër zhvillimin e tyre, thuhet më tej në komunikatë.
Nga ana e saj, Mbretëresha Beatrix, e mirinformuar me proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, u interesua për ndërtimin e kapaciteteve institucionale-qeverisëse, për implementimin e planit të Presidentit Ahtisaari, bashkëpunimin me prezencën ndërkombëtare, si dhe për gjendjen ekonomike dhe vizionin e qeverisë së Kosovës për ta ringjallur vendin ekonomikisht. Më tej, interesimi i saj u ndal te sistemi i arsimit në Kosovë, të drejtat e komunitete pakicë dhe trajtimin e tyre etj.
Mbretëresha Beatrix thuhet se ka shprehur dëshirat e saj më të sinqerta për prosperitetin e Kosovës dhe popullit të saj.