Qeveria e Mbretërisë së Holandës nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, Martin Dela Beij i dërgoi një mesazh të qartë opozitës shqiptare se opsioni bojkotit të Parlamentit nuk e ndihmon aspiratën e shqiptarëve për tju afruar familjes europiane.
“Një bojkot i plotë apo i pjesshëm i Parlamentit, përdorimi gjuhës së ashpër përfshi polarizimin ekstrem nuk ndihmon aspak dhe se nuk e ka sjellë Shqipërinë afër BE-së. Mirëfunksionimi i Parlamentit, institucioneve publike, sistemit të drejtësisë e ka ndihmuar Holandën për t’u forcuar drejt BE-së. Gjithashtu, do ta ndihmonte Shqipërinë në rritjen ekonomike dhe sociale”, tha ambasadori.
Duke folur në Forumin e Politikës së Jashtme 2014 organizuar prej Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare ambasadori Martin Dela Beij e quajti pavend paralelizmin mes protestave në Ukrainë dhe atyre në Shqipëri, organizuar prej opozitës.
“Të tilla komente për mua janë jashtë çdo linje. Kjo nuk mund të merret si krahasim. Jemi absolutisht në dy situata të ndryshme për t’i krahasuar me njëra-tjetrën. Le të vijojmë të punojmë së bashku ngushtësisht mes Shqipërisë dhe BE-së siç kemi bërë vitet e fundit”, thotë ambasadori.
Kjo ishte këshilla ambasadorit për Qeverinë dhe Opozitën në lidhje me debatet e nxehta lidhur me emërimet në administratën publike: “Së bashku, Qeveria dhe opozita duhet të punojnë në bazë të ligjit kur vjen puna për të marrë apo hequr personelin e administratës kjo do të ndihmonte në forcimin e institucioneve dhe mbi të gjitha funksionimin në bazë të meritës”.
Në fund të fjalës ambasadori Martin Dela Beij shprehu atë çfarë mendon Qeveria e Holandës për statusin e Shqipërisë.
“Pozicioni i Qeverisë së Holandës është ky: Shqipëria mundet potencialisht ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor 2014, por duhet të ndodhin shumë gjëra përpara çeljes së negociatave në BE”.
Top Channel ka mësuar se këto deklarime të ambasadorit të Holandës erdhën pak orë para një dreke pune mes kryediplomatit holandez dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.
4 mars 2014(gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Ambasadori holandez: Bojkoti pengon integrimin u publikua me pare te Gazeta SHQIP.