Ambasadorja Britanike në Tiranë, Fiona McIlwham vlerëson se zgjedhjet lokale janë tepër të rëndësishme. Në një deklaratë për media, diplomatja angleze, shprehet se realizimi i zgjedhjeve të suksesshme në Shqipëri, është jetik për të ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.



“Zgjedhjet janë një mundësi për zyrtarët, politikanët, komisionerët dhe policinë që të punojnë së bashku për të mbështetur qytetarët e tyre dhe një proces pozitiv e transparent. Këto zgjedhje janë edhe një mundësi për Shqipërinë për të forcuar më tej përparimin e saj si një komb demokratik evropian. Unë shpresoj se Shqipëria dhe shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, shprehet Ambasadorja britanike Fiona Mcllwham në mesazhin e sotëm drejtuar shqiptarëve më rastin e këtyre zgjedhjeve.



Ambasadorja britanike shprehet gjithashtu në mesazhin e saj drejtuar sot shqiptarëve se qeveria britanike dëshiron të shohë Shqipërinë të ecë e vendosur drejt anëtarësimit të Bashkimit Europian.



“Qeveria Britanike dëshiron të shohë Shqipërinë duke ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në BE. Zgjedhjet e suksesshme lokale, të kryera me profesionalizëm dhe integritet janë jetike për të arritur këtë. Ne ju urojmë sukses në 8 Maj dhe në vazhdimin e reformave”.