Autori i Lajmit: S. Topi
Miratohet projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, pas amendimeve të bëra dhe nga kreu i SHISH, Bahri Shaqiri. Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me kreun e SHISH, ku janë paraqitur dhe amendimet e tij. Për shkak të diskutimit dhe të elementëve të konsideruar si sekret shtetëror mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku mungonte opozita, është zhvilluar me dyer të mbyllura. Në bazë të amendimeve të Shaqirit, është shtuar shtrirja e veprimtarisë së SHISH edhe jashtë vendit, gjithashtu janë shtuar disa ndryshime edhe në nenet 9 dhe 13 të ligjit aktual si dhe shtohet një dispozitë kalimtare.

Diskutimi

Komisioni i Ligjeve diskutoi dje për ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, paraqiti në Komision disa amendime në projektligjin e propozuar nga qeveria "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin organik të SHISH-it". Anëtarët opozitarë të Komisionit parlamentar të Ligjeve nuk ishin të pranishëm në diskutim. Gjatë një seance dëgjimore në këtë komision, drejtori i SHISH-it tha se nevoja për këto amendime lindi pas mbledhjes së fundit të Komitetit të politikave të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit te parave, ku kryeministri Berisha kërkoi amendimin e ligjit organik të SHISH-it. Shaqiri deklaroi se ndryshimet e propozuara në ligjin për SHISH janë të nevojshme. “Kryeministri porositi që nga SHISH të përgatitej një amendim i ligjit, me synimin për tiu përgjigjur kushteve të reja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Amendimet vijnë edhe si domosdoshmëri në kuadër të detyrimeve që ka Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe rolit që duhet të ketë SHISH në këto procese”,- tha Shaqiri. Në mbledhjen ku nuk ishin të pranishëm deputetët e PS, Shaqiri kërkoi që institucioni që ai drejton, të ketë kompetenca të veprojë edhe jashtë vendit. “Ndryshimet e propozuara, konsistojnë në saktësimin e emërtimit të SHISH-it në ligj dhe në kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit. Drejtori Shaqiri sqaroi se në kushtet e reja, SHISH mund të kryejë veprime të specializuara tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit. Amendimet kanë të bëjnë edhe me kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit dhe mbledhjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe dhe organizata që i mbështesin dhe financojnë ato. Drejtori i SHISH-it vuri në dukje se amendimet e propozuara kanë të bëjnë edhe me mbledhjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën dhe pastrimin e parave si dhe të gjithë llojet e trafikimeve të paligjshme. Tërheqja e qeverisë për draftin në fjalë në fakt më shumë sesa qëndrimi i opozitës erdhi nga qëndrimi dhe rezervat që kishin vetë ndërkombëtarët ku vende anëtare të NATO-s kanë shpenzuar kohë dhe resurse për të rritur profesionalizmin e këtij shërbimi në Shqipëri.







Ndryshimet në draft, pas amendimeve të SHISH



Neni 1

Neni 2, paragrafi i parë, ndryshohet si vijon:

“Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar”.

Neni 2

Neni 3 ndryshohet si vijon:

“ Neni 3

Shërbimi Informativ i Shtetit kryen detyrat e mëposhtme:

a) Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar;

b) Mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues;

c) Mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë;

d) Mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit;

e) Mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar;

f) Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.

g) Kryen certifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore;

h) Kryen veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.

SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për realizimin e funksioneve të mësipërme, Shërbimi Informativ i Shtetit, ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ligjshmëria dhe objektiviteti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit.

Shërbimi Informativ i Shtetit ruan sekretin lidhur me burimet, identitetin e bashkëpunëtorëve, metodat e punës si dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Neni 3

Neni 5 ndryshohet si vijon:

“ Neni 5

Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga Drejtori, i cili është përgjegjës për:

a) veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e saj;

b) mbarëvajtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit;

c) garantimin që çdo informacion të disponohet vetëm brenda qëllimit dhe funksioneve të Shërbimit Informativ të Shtetit;

d) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim ti shërbejnë apo ti sjellin përfitime ndonjë partie politike;

e) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale;

f) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri, për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar.

Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.

Me kërkesë të Kryeministrit, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave”.

Neni 4

Pas nenit 5, shtohet neni 5/1 me përmbajtjen si vijon:

“ Neni 5/1

Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Drejtori dhe zëvendësdrejtori qëndrojnë në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Procedura për emërimin në detyrë fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit përkatës.

Zëvendësdrejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Zëvendësdrejtori zëvendëson drejtorin kur mungon në detyrë, por jo më shumë se tre muaj.

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar, ka status të njëjtë me atë të ministrit, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me atë të zëvendësministrit.

Neni 5

Paragrafi i katërt i nenit 7, shfuqizohet.

Neni 6

Neni 9 ndryshohet si vijon:

“Neni 9

Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 3, Shërbimi Informativ i Shtetit e vë informacionin e nevojshëm në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit apo agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, sipas kompetencës dhe pa cenuar veprimtarinë e tij.

SHISH informon institucionet kompetente edhe kur çmon se informacioni në dispozicion të tij është i nevojshëm për zbulimin ose parandalimin e veprave penale dhe kur kjo nuk cenon veprimtarinë e tij.

Shërbimi Informativ i Shtetit nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor”.

Neni 7

Në nenin 13, paragrafi i katërt ndryshohet si vijon:

“Punonjësit e SHISH për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridikë dhe fizikë, përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga Drejtori i SHISH. Në këto raste punonjësit e SHISH duhet të identifikohen, duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës.

Neni 8

Në përmbajtjen e ligjit bëhen zëvendësimet si vijon:

a) Fjalët “Shërbimi Informativ Kombëtar” zëvendësohen me fjalët “Shërbimi Informativ i Shtetit”

b) Fjala “SHIK” zëvendësohet me fjalën “SHISH”

c) Fjalët “Kuvendi Popullor” zëvendësohen me fjalët “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”.

Neni 9

Dispozitë kalimtare

Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji, zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit herën e parë ka një mandat 3- vjeçar.

Neni 10

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.







Ky lajm është publikuar: 11/03/2010