Thuajse gjitha amendimet e bëra me votat e demokratëve shpërfillin kërkesat zyrtare dhe publike të presidentit Bamir Topi, i cili pak kohë më parë e ktheu ligjin për rishqyrtim. Sipas presidentit Topi, paragrafi ‘d’ i nenit 10 të ligjit zëvendëson skemën e dëmshpërblimit të ish-pronarëve me një skemë thjesht deklarative, pa një afat konkret kohor dhe detyrues për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Pronari i ligjshëm i pasurisë së paluajtshme, i cili zhvishet dhe ‘de jure’ nga pronësia, i duhet të presë pa ndonjë afat të caktuar kohor, derisa Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të paraqesë në Këshillin e Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Një tjetër ndryshim në dëm të ish-pronarëve është dyfishimi i afatit kohor të kompensimit nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, - thuhet në dekretin e presidentit Topi. Në dekretin e tij presidenti shprehet me tej se duke iu referuar parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, kompensimi duhet të jetë i përshtatshëm, i shpejtë dhe efektiv, duke iu përmbajtur kështu dhe parimit të sanksionuar në nenin 18 të Kushtetutës së Shqipërisë. Presidenti ka kundërshtuar edhe nenin i cili kufizon të drejtat e qeverisjes vendore. “Rregullimet e reja ligjore bien ndesh dhe me nenin 4, paragrafi 2 të Ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të qeverisjes vendore dhe marrëdhëniet e tyre me organet e pushtetit qendror bazohen në parimin e subsidiaritetit, parim sipas të cilit, ushtrimi i përgjegjësive publike duhet në mënyrë të përgjithshme, t'i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve, argumenton presidenti Topi ne dekretin e tij dërguar deputetëve.
Ish-pronarëve iu mohua ankimimi në Gjykatë dhe fatura financiare
Ish-pronarët paraqitën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese disa kërkesa për t’u marrë parasysh, por deputetët i injoruan ato. Shoqata “Pronësi me drejtësi” kërkoi që subjektet e shpronësuara të kenë të drejtë të ankohen në gjykatë në rast se nuk bien dakord me kompensimin financiar apo fizik për pronat e tyre. Njëkohësisht ata kërkuan që ligji të ketë një faturë financiare për të gjithë procesin në mënyrë që Kuvendi të njihet me koston. Ish-pronarët janë shprehur se amendamentet e miratuara ditën e djeshme, u mohojnë atyre të drejtën për t’u ankuar në gjykatë edhe pse Gjykata Kushtetuese ua ka njohur këtë të drejtë. Sipas ish-pronarëve, amendamente në thelb nuk kanë për ta zgjidhur çështjen e pronës, pasi e drejta e mohuar për t’u ankuar në gjykatë do të bëjë që abuzimet me procesin të mbulohen. Përfaqësues të ish-pronarëve janë shprehur në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese se injorimi për të disatën herë i së drejtës për të çuar pretendimet në gjykatë po bën që Ekzekutivi të bjerë në gabime të përsëritura.
Shtesat e pallateve, legalizohen ndërtimet informate para vitit 1993
Ndryshimet në ligjin e legalizimeve, të miratuara dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, kanë prekur edhe shtesat në pallatet që janë ndërtuar me leje, por që nuk e kanë respektuar atë. Sipas ligjit, është përcaktuar se familjet që jetojnë në këto shtesa do ta kenë legalizimin në favor të tyre, ndërkohë që ndërtuesit duhet të paguajnë për shtesat pa leje që kanë bërë. Legalizimi i shtesave në ndërtime kryhet edhe në rastin kur subjekti, shoqëria ndërtuese ose investitorë që kanë kryer shtesën jashtë lejes së ndërtimit, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, nuk paguajnë penalitetet. Në listën e ndërtimeve informate që do të legalizohen do të jenë edhe ndërtimet para vitit 1993. AULIZNI, përgjatë afatit të vetëdeklarimit, shqyrton kërkesat e paraqitura për legalizim të shtesave dhe i njofton subjekteve, që përmbushin kriteret e dokumentacionit, të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe gjobën kur janë subjekt i saj, sipas ligjit. Kur shtesat janë ndërtuar të gjitha ose pjesërisht në territore publike, subjekti paraqet kërkesën për legalizimin e shtesës dhe të truallit publik, mbi të cilin është ndërtuar shtesa sipas këtij ligji. Për kalimin në pronësi të parcelës ndërtimore, në të cilën është ndërtuar shtesa, ndiqen të njëjtët mekanizma nga zyra e Urbanistikës si ato të parashikuara në këtë ligj. Nuk legalizohen, në kuptim të këtij ligji, ndërtimet ose shtesat e ndërtimeve pa leje, të kryera brenda territoreve të shkollave dhe institucioneve të tjera publike. Asnjë ndërtim tjetër informal, nuk legalizohet brenda këtyre territoreve.