11/08/2011  PDIU kundërshton Dulen


Partia “Integrim, Drejtësi dhe Unitet” ka kundërshtuar dje deklaratat e kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili sulmoi amendimet e bëra nga partia e çamëve në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Zyra e shtypit e PDIU-së sqaron se amendimet e bëra nga kjo parti në thelb e përmirësojnë ligjin në fjalë dhe heqin mundësinë e abuzimit. “Ne i themi zotit Dule se sot askush nuk duhet të ketë frikë të deklarojë përkatësinë e vet etnike të vërtetë, si në kohën e Enver Hoxhës, por ky vetëdeklarim duhet të bëhet mbi baza objektive. Vetëm vetëdeklarimi mbi themele objektive, si afirmim i identitetit etnik në fushën e gjuhës, kulturës etj., është e drejtë kushtetuese dhe asgjë tjetër. “Vetëdeklarim” do të thotë që të deklarosh lirshëm atë që je objektivisht dhe jo të deklarosh çfarë të duash, përfshirë këtu të pavërteta. Amendamentet e partisë “Drejtësi, Integrim dhe Unitet” në thelb heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë. Edhe në rast se Komisioni Qendror i Censusit do të vendosë në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë shqiptare, që të përfshijë pyetje mbi kombësinë, statistikat që do të rezultojnë nuk do të preken nga abuzimet e mundshme. Kjo pasi amendamentet e PDIU-së detyrojnë INSTAT-in që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe ti ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile”, - thuhet në deklaratën e PDIU-së. Më tej deklarata shprehet se amendamentet në fjalë duhet të shqetësojnë vetëm qarqet shoviniste greke, si organizata e Vorio-Epirit. “Këto amendamente duhet të shqetësojnë vetëm ata që shpresonin të ngrinin fantazmën e të ashtuquajturit "Vorio Epir" me anë të regjistrimit, duke bërë vetëdeklarime nëpërmjet pensioneve dhe parave të thata në dorë. Një shoqëri demokratike nuk mund ti pranojë këto fenomene, prandaj amendamentet e PDIU-së, të cilat duket se kanë shqetësuar jo vëllezërit tanë minoritarë, por persona që dëshirojnë të luajnë politikisht me ndjenjat e tyre, përbëjnë një gur themeli në demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Njëkohësisht përshëndesim deklaratën e zotit Dule se "regjistrimi me vetëdeklarim përbën të vetmin instrument bashkëkohor në shtetin e së drejtës..., që garantojnë koherencë sociale për çdo vend" dhe e përforcojmë këtë thirrje drejt të vetmit shtet që nuk njeh minoritetet, që është shteti grek. Suksesi i arritur, duke hequr mundësinë e abuzimit me këtë census, përbën një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, që është ndalimi i këtij lloj censusi. PDIU-ja do të bëjë çmos që censusi të mos bëhet mbi baza etnike dhe fetare, por kjo është në kompetencë të Komisionit Qendror të Censusit, mbi të cilin do të ushtrohet presioni i nevojshëm pozitiv që të mos fus pyetje mbi etninë dhe fenë, të cilat në mendimin tonë janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve, kombit dhe shtetit shqiptar”, - thuhet në deklaratën për shtyp të PDIU-së.