Zgjedhja
Fjala që është përsëritur më shumë se gjithë të tjerat në këtë dekadë

është “Google” fjala e dhjetëvjeçarit. Verdikti është dhënë nga “American Dialect Society” (ADS), gjatë kongresit të përvitshëm të organizatës të mbajtur në një hotel në Baltimora. I krijuar 121 vjet më parë, për të studiuar evolucionin e gjuhës angleze në Amerikën e Veriut, mbledhjet e tij zakonisht u dedikohen diskutimeve mbi problemet që specialistëve u duken interesante: nga dialektet e gjuhës, te raporti mes emrave të pagëzimit dhe jetëgjatësisë. Por, prej 1990-s, ADS zgjedh edhe fjalën e vitit. Kjo iniciativë është imituar edhe nga shoqëri të tjera, si “Merriam-Webster” dhe “Oxford English Dictionary”, por ADS ka avantazhin, sepse ka qenë e para që e ka shpikur këtë traditë në vend. Edhe pse zgjedhja fillestare (në 1990-n u zgjodh fjala bushlips), nga vetë drejtuesit e akademisë, sot nuk konsiderohet një nga më të goditurat. Fjalët e vitit shpesh pasqyrojnë ngjarjet më të mëdha të kësaj periudhe: më 1995-n u zgjodh “web”, më 2000-shin, “chad” (referuar zgjedhjeve presidenciale në USA), ndërsa më 2002-shin, “armë të shkatërrimit në masë”. Kriza ekonomike ka influencuar në zgjedhjet e dy viteve të kaluara: “subprime” dhe “bailout”. Në Kongresin e Baltimores linguistët e “American Dialect Society” respektuan traditën, duke zgjedhur fjalën e vitit 2009. Pas një debati të gjatë u vendos që të ishte “Tweet”. Por, kur erdhi radha për të zgjedhur fjalën e dhjetëvjeçarit, diskutimi u bë shumë i zjarrtë. Shprehja “global warming” ishte votuar tashmë nga rivalët e “Global Language Monitor” si fjala e dhjetëvjeçarit, për këtë arsye gjuhëtarëve të ADS iu desh të ndiqnin një tjetër drejtim. Disa prej anëtarëve ishin në favor të 11/9, por në fund zgjedhja i takoi botës virtuale. Dhe ishte pikërisht “Google”.






#