Epidemia e Ballshit, ku 237 banorë u infektuan në aparatin e tretjes, duke iu shkaktuar të vjella e diarre, ka pasur si burim ujin e pijshëm, i cili ka qenë i ndotur nga ujërat e zeza. Analizat përfundimtare të Institutit të Shëndetit Publik kanë vërtetuar se në mostrat e ujit të marra në pikat fundore të rrjetit të ujësjellësit të Ballshit është gjetur bakteri Esheri Coli i cili gjendet në ujërat e zeza. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, shkak është sasia e ulët e klorit në rrjetin e ujësjellësit, në kundërshtim me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Nga analizat përfundimtare të kryera në laboratorin biokimik në ISHP përjashtohet mundësia e sëmundjes infektive të salmonelës apo dizanterisë. Infeksioni që preku banorët erdhi si rezultat i kryqëzimit të ujërave të bardha me ato të zeza, të cilat sollën çrregullime në aparatin tretës, duke shkaktuar gastroenterite, siç quhet në gjuhën mjekësore. Nga mostrat e ujit që analizuam, u vu re se sasia e klorit në rrjet ishte 0.2 mg në raport me 0.5-0.6 që është norma e OBSH-së, - tha Pipero. Për të parandaluar ngjarje të tilla dhe në rrethe të tjera të vendit, Ministria e Shëndetësisë do të nxjerrë nesër një udhëzim të ri për shtimin e dozës së klorit në rrjetin e ujësjellësit, në prag të afrimit të sezonit të verës. Mbrëmjen e së hënës, në spitalin e qytetit të Ballshit, qindra banorë shfaqën probleme me shëndetin. Numri i tyre u rrit një ditë më pas duke e çuar atë në 237 të prekur. Sipas të dhënave më të fundit, zyrtarisht thuhet se shpërthimi epidemik ka përfunduar dhe rastet aktuale që paraqiten në spital, janë sporadike.