21-01-2013 / Gazeta 55

Gazsjellësi Trans Adriatik – kryeministri Berisha takon drejtorin e projektit, Kjetil Tungland

Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht në mbështetje të projektit të TAP-it, si projekti më efikas dhe eficent i furnizimit të BE-së me gazin azer të Shah Denizit. Një qëndrim i tillë u bë i ditur nga vetë kreu i ekzekutivit, Sali Berisha gjatë takimit që zhvilloi me delegacionin e kryesuar nga Kjetil Tungland, Drejtor Menaxhues i kompanisë së Gazsjellësit Trans Adriatik. Takimi u zhvillua në kuadrin e firmosjes së Marrëveshjes Pritëse Qeveritare mes Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë TAP, si një dokument themeltar për konsiderim për projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik, nga Konsorciumi i Shah Denizit, në Azerbajxhan. Në vijim, pritet që së shpejti të konkludohet edhe Marrëveshja Ndërqeveritare mes Republikave të Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë, rreth projektit të TAP-it. Në takim, Tungland shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të ngushtë dhe diskutimet konstruktive me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ne konkludim të kësaj marrëveshjeje. Ai gjithashtu informoi Kryeministrin mbi detaje të tjera të përgatitjes së projektit. Gazsjellësi Trans Adriatik ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj si një superfuqi energjetike në rajon, si dhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë nëpërmjet krijimit të dhjetëra, mijëra vendeve të reja të punës. Ky projekt madhështor energjetik, ku do të investohen rreth 2 miliardë euro, do të punësojë, direkt dhe indirekt, mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë. TAP, me 140 kilometrat që kalojnë nëpër territorin shqiptar, do të sjellë gazin nga Kaspiku dhe Azia Qendrore në Evropën Perëndimore, si dhe do t’u mundësojë familjeve shqiptare gazin në çdo shtëpi dhe t’u garantojë qytetarëve energji për ngrohje e gatim me koston më të ulët se të gjitha format e energjisë që shqiptarët përdorin sot. Shqipëria, si vend me depo te mëdha natyrale gazi, do të ketë një pozicion shumë të rëndësishëm në shpërndarjen e tij në veri, por dhe mundësi të madhe për fuqizimin e prodhimit dhe eksportit te energjisë ne rajon.

 

...