Doganierët britanikë zbuluan dje 5,1 kilogramë kokainë në makinën e një shqiptari. Ai shoqërohej me një italian dhe të dy po tentonin hyrjen në Angli. Sipas policisë, të arrestuarit janë Afrim Gjuni dhe Sergio Veroneze, të cilët u ndaluan në portin e Doverit. Sipas policisë, shqiptari jetonte me dokumente të rregullta në Angli. Ndërkaq, shtetasi italian rezulton të ketë disa hyrje-dalje në Angli. Sipas policisë, vlera e drogës që iu kap dy të arrestuarve në tregun anglez, është 700 mijë stërlina. Policia britanike beson se Afrim Gjuni së bashku me Sergio Veroneze ishin korrierë të një grupi kriminal në Londër të përfshirë në tregtinë e Kokainës. Autoritetet britanike janë duke hetuar për linjën e trafikut të narkotikut, duke marrë në pyetje dy të arrestuarit si dhe duke shkëmbyer informacione me zyrat e Interpolit. Deri tani nuk është mësuar ndonjë fakt rreth rrugës që ka ndjekur droga megjithatë prokuroria angleze do t’i çojë para gjykatës të arrestuarit për masën fillestare të mbajtjes në qeli.