Në vendin tonë numërohen gati 185 mijë persona të papunë. Të paktën kjo është shifra zyrtare e publikuar nga Instituti i Statistikave. 

Të rinjtë shqiptarë e kanë shumë të vështirë për të gjetur punë. Shkalla më e lartë e papunësisë është pikërisht tek moshat e reja, ndërkohë mënyra më e mirë për të kërkuar punë në Shqipëri është përmes miqësive. Instituti i statistikave ka kryer për herë të parë një anketë specifike për forcën e punës pranë familjeve në nivel kombëtar. Rezultatet e anketës tregojnë se shkalla e papunësisë është më e lartë në zonat rurale.
Papunësia
Sipas të dhënave më të fundit, numri i personave të papunë arrin në 185 mijë. Shkalla e papunësisë për këtë periudhë është 13.5 për qind dhe është më e lartë në grupmoshat e reja deri në 30 vjeç. Ky tregues për meshkujt e grupmoshave të reja deri në 30 vjeç është më i lartë krahasimisht me femrat. Ndërsa për grupmoshat 35-49 vjeç treguesi është më i lartë për femrat. Sipas anketës, në grupmoshat pas moshës 50 vjeç vihet re një tendencë më e lartë për të kërkuar punë tek meshkujt. Niveli i papunësisë vjen gradualisht në ulje sa më shumë rritet shkalla e arsimimit për popullsinë që jeton në zonat urbane, ndërsa nuk vihen re diferenca në zonat rurale. Rezultatet e anketës kanë vënë në dukje se mënyra kryesore nëpërmjet së cilës të papunët kërkojnë punë në vendin tonë është "nëpërmjet miqve/shokëve dhe të afërmve", 82.6% e të papunëve kanë kërkuar punë nëpërmjet kësaj mënyre. Kjo metodë pasohet nga "nëpërmjet kërkimit në zyrën e punës" (31.2%), "aplikuar direkt tek ndonjë punëdhënës" (21.6%), "studiuar lajmërimet në gazeta" (19.5%). Ndërkohë anketa ka nxjerrë në pah edhe numrin e popullsisë inaktive ose e thënë ndryshe që nuk janë shumë të prirur për të kërkuar punë. Inaktivët në moshë 15-64 vjeç përbëjnë rreth 35% të kësaj popullsie. Gati 39% e inaktivëve përbëhen nga nxënësit dhe studentët, por ka një numër të konsiderueshëm personash pa punë por që nuk kërkojnë sepse "besojnë që nuk ka punë të disponueshme", pra që janë të papunë të dekurajuar (16%). Nga anketa rezulton që rreth 70% e të papunëve të dekurajuar janë femra.