Trajneri i Argjentinës, Alehandro Sabela konfirmoi se skuadra e tij nuk do të hyjë në fushë si e fituar në ndeshjen kundër Ekuadorit, duke theksuar se “albiçelestët” do të kenë përballë një kundërshtar të shkëlqyer.

Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi do të udhëheqë sulmet e argjentinasve, që kërkojnë fitoren për të vazhduar kryesimin e grupit kualifikues të Amerikës Jugore në Botërorin 2014, ku me 7 pikë ata ndajnë vendin e parë së bashku me Uruguain dhe Venezuelën.

“Ata janë një kundërshtar që luan shpejt, kanë një skuadër mjaft fizike dhe lojtarë cilësorë. Për këtë arsye Argjentina duhet të jetë e kujdesshme përballë Ekuadorit, të ushtrojmë pressing dhe të qarkullojmë mirë topin. Mendoj se me fitoret kundër Kolumbisë dhe në miqësoren me Zvicrën kanë bërë që tifozët të jenë entuziastë dhe mbështetja e tyre do të na shërbejë shumë”.



Ndeshja e vlefshme për raundin e pestë kualifikues, do të luhet rreth mesnatës në stadiumin “Monumental” të Buenos Aires. Katër skuadrat e vendeve të para, pas 16 ndeshjeve eliminatore që zgjasin tre vjet, kualifikohen direct në Brazil 2014, ndërsa ekipi i vendit të pestë luan në “play off” kundër një skuadre aziatike.



“Kemi dy skema me të cilat luajmë, por taktikat mund të ndryshojnë në varësi të mënyrës si rrjedh loja dhe të kundërshtarit. Gjithashtu jemi me fat që kemi në skuadër Lionel Mesin që me 73 gola të shënuar zhvilloi një tjetër sezon të jashtëzakonshëm”.



Argjentina do të jetë pushim në raundin e gjashtë dhe data 9 qershor do të shfrytëzohet për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Brazilin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.