Nominimet e kësaj jave, dalja e Zhuljetës, marrëdhëniet e saj me banorët e tjerë, dhe veçanërisht me Arjonin, kanë qenë temat kryesore të diskutimit mes banorëve. Marrëdhënia mes Adelajdës dhe Bjordit është komentuar sërish, ndonëse banorët janë të bindur se dy të rinjtë ndiejnë për njëri-tjetrin.



Prova e javës: Stërvitje ushtarake



Vëllai i Madh u ka komunikuar banorëve se prova e kësaj jave konsistonte në disiplinën ushtarake. Banorët duhet të respektonin të gjitha rregullat që do t‘u caktoheshin nga banorët e zgjedhur për të drejtuar provën: Dritani dhe Republika. Ata duhet të zgjoheshin me rënien e sirenës në mëngjes, duhet të rregullonin krevatet brenda një minute, me hap ushtarak të dilnin në oborr për gjimnastikën, duhet të ngrinin flamurin e "Big Brother" duke e nderuar dhe të bënin gjimnastikë ushtarake në jo më pak se 30 minuta. Rënia e sirenës do të lajmëronte fundin e stërvitjes.



Kështu, në orën 08:00, banorët, ndryshe nga herët e tjera kur muzika u shoqëronte zgjimin, janë ngritur me zhurmën e një sirene. Ata janë përpjekur t‘i rregullojnë krevatet siç duhet, por nga "komandant" Dritani ka pasur vërejtje në lidhje me këtë. Megjithatë, ai ka theksuar që në rregullimin e krevateve, vajzat kishin qenë më mirë se djemtë. Më pas ata kanë dalë në oborrin e shtëpisë, janë rreshtuar nga Bika për të përshëndetur komandantin dhe kanë nderuar ngritjen e flamurit nga Qetsori. Në mungesë të himnit, Qetsori e këndoi vetë atë. Më pas, banorët kanë filluar stërvitjen ushtarake. Fillimisht kanë bërë disa xhiro me vrap, përqark oborrit, duke kënduar "Ne jemi 10 ushtarë" e pastaj kanë zhvilluar ushtrime fizike, përgjatë gjithë kohës së caktuar, nën drejtimin e Arjonit. Me rënien e sirenës, ata kanë përfunduar stërvitjen dhe janë këshilluar nga Republika e më pas nga Dritani, për mënyrën sesi ishin zhvilluar gjërat sot e si duhet të zhvilloheshin nesër. Si Dritani, ashtu edhe Republika dukeshin mjaft të kënaqur nga detyra që u kishte caktuar Vëllai i Madh dhe kanë treguar zell e përkushtim në përmbushjen e saj.



Kënga e banorëve



Vjen Dritani me ushtriBikja është ndihmësja e tijNe jemi 10 ushtarëCa të martuar,ca beqarëNgrihemi herët në mëngjesÇdo të shtunë bëjmë nga dy vezëNë "Big Brother" bëjmë ushtriSecili bën qejfin e tijKur të dalim nga kjo shtëpiSecili merr hisen e tij.



Aida: "Bjordi rri larg"



Aida ngacmon Bjordin e Adin dhe u thotë që ata duhet të krijojnë pak konflikt me të tjerët, sepse kështu kanë për të shkuar drejt e në finale, ndërsa të tjerët ngelën duke nominuar njëri-tjetrin, duke dalë gjithmonë në nominim. Edhe Mesida thotë po të njëjtën gjë, kurse Bjordi thotë se nuk ka pse të krijojë konflikte kot, kur ai bën atë që ndjen. Ai thotë se asnjë nuk ka konflikt me të. Mesida i thotë se ai nuk ka asnjë konflikt, sepse nuk e ka bërë veten për t‘u konfliktuar me të tjerët. Aida shton se Bjordi tani po del, sepse gjithë kohën rri me Adelën, ose vetëm i mërzitur. Adela e kundërshton, se ai nuk rri vetëm me të, por rri dhe me të tjerët, ose në të kundërt mund të rrijë në sallon, por rri pa folur. Mesida thotë se edhe nëse rri në sallon me ta, si ajo, ashtu edhe Bjordi, rrinë veç nga të tjerët. Adela nuk e mohon këtë fakt, por thotë se ai nuk rri vetëm me të, por edhe me persona të tjerë. Bjordi thotë se ai nuk ka ndryshuar sjellje, është po ai që ka qenë edhe në fillim. Ai thotë se kështu duan ta shohin, se ai kalon kohë edhe me të tjerë. Bjordi u kërkon të tjerëve që edhe ata të vijnë e të flasin me të e jo të jetë vetëm ai që e bën këtë gjë. Si Aida, ashtu edhe Mesida i thonë se janë munduar por ai largohet. Aida dhe Bjordi fillojnë të diskutojnë për një rast të ngjashëm dhe secili mundohet të shpjegojë reagimin e tij.



"Nuk po e kuptoj Bikën"



Adela diskuton me Adin për Bikën. Ajo i thotë se ka tri ditë që sillet çuditshëm me të dhe nuk po e kupton se çfarë ka. Pak më parë, në tavolinën e ngrënies, Bika i tha se po e bezdiste me ato grindjet që po bënte Adela me Bjordin. Adela me shaka i thotë që të mbyllë veshët, kurse Bika ia kthen se do ta shohin nëse do mbyllë ajo veshët, apo ata gojën. Adela e merr sërish me shaka, por Bika dukej shumë serioze, edhe pse mundohej të mbante të qeshurën. Adela i tregon Adit se ajo këto kohët e fundit po sillet shumë çuditshëm me të. Edhe Adi i thotë të njëjtën gjë. Ai i tregon se Bika i kishte thënë që i kishte ngelur hatri me të që natën që dolën për darkë, pasi Adi ishte shprehur se po të ishte në vend të saj, ai do kishte zgjedhur Mozën. Adi e kishte kundërshtuar, por ajo i kishte thënë se ishte ofenduar. Adela komenton se nuk po e kupton më nëse Bika flet me shaka, apo jo, pasi ka gjithë ditën që i flet në një mënyrë ndryshe nga herët e tjera.



"Jam e mërzitur me Adelën"



Bika i tregon Dritanit se është e mërzitur me Adelën. Ajo i thotë se nuk i erdhi mirë që ajo dje e mori si urdhër fjalën e saj dhe Bika sot ia ktheu me të njëjtën monedhë në tavolinën e ngrënies. Ajo thotë se përgjigjja e djeshme e Adelës nuk i pëlqeu, pasi Bika ia kishte thënë pa të keq që të largohej, sepse po ta vazhdonin debatin, do mund të lëndonin njëra-tjetrën. Bika thotë se Adela sot ia solli në shteg mundësinë që ajo t‘i kthente këtë përgjigje, pasi nëse do t‘i kishte thënë për t‘u sqaruar, ajo nuk do të kishte pranuar. Ajo thotë se edhe nëse nuk i kthen përgjigjet në moment, kjo nuk do të thotë se i harron. Bikës i vjen keq që Adela nuk e ka kuptuar shakanë e saj dhe thotë se preket nëse të tjerët i lëndon padashje.



"Zhuljeta të ka larguar"



Arjoni e pyet Mesidën se çfarë mendon për Zhuljetën. Mesida i tregon se ajo nuk i pëlqeu që kur hyri në shtëpi. Ajo thotë se i bëri përshtypje se që ditën e parë Zhuljeta e puthi në faqe, kur ajo ishte në gjumë. Mesida thotë se s‘mund të sillesh kështu me një person që nuk e njeh. Arjoni i tregon se Zhuljeta e pëlqente Mesidën. Ajo thotë se nuk e beson, por do ta shohë këtë kur të dalë. Arjoni i thotë se Zhuljeta pati një reagim kundrejt saj kur pa që ajo u afrua me Liritën dhe Aidën, pasi ajo nuk i pëlqente ato. Mesida thotë se shumë veprime dhe sjellje të Zhuljetës nuk i pëlqenin, mënyra se si fliste me të tjerët, apo edhe me Arjonin, nuk i dukej e përshtatshme. Ajo thotë se edhe fakti kur Zhuljeta debatonte me dikë dhe më pas i fliste me dashamirësi, nuk i pëlqente, pasi kur debaton me dikë, nuk mund ta puthësh. Arjoni i thotë se kur jeton në një shtëpi, kjo do ndodhë patjetër. Mesida mendon se nëse ajo grindet me dikë, duhet t‘i japë kohë si atij, ashtu edhe vetes që të qetësohen e qartësohen, se në të kundërt, nëse i afrohet, do të grindet më keq. Mesida i thotë Arjonit se një arsye pse ai mund të jetë nominuar është se ka qëndruar me një person që të tjerët nuk e pëlqenin dhe sepse ai rrinte shumë kohë me të, pa i lënë mundësi vetes që të njihej. Arjoni i thotë se i vetmi person që ju afrua ishte Zhuljeta dhe ndaj u afeksionua pas saj, ndërsa të tjerët u ndanë në grupe. Ai i thotë Mesidës se vetëm ajo ka ardhur e i ka folur tani, banorët e tjerë nuk i afrohen. Mesida i përgjigjet se edhe kur janë munduar t‘i afrohen, mes tyre ka qenë gjithmonë Zhuljeta dhe nga kjo është krijuar distancimi.



"Zhuljeta nuk më ka shfrytëzuar!"



Sipas Arjonit, tek banorët e shtëpisë ekzistonte mendimi që Zhuljeta e shfrytëzonte. Kjo, sipas tij, nuk ishte e vërtetë. Ai çdo gjë që kishte bërë, e kishte bërë me dëshirën e tij. Ai tha se ishte i gatshëm që për çdo banor që t‘i kërkonte ndihmë, t‘ia jepte. Ndërsa sipas Bikës, raporti i tij me Zhuljetën nuk shihej si një miqësi normale. Arjoni theksoi se pavarësisht se çfarë mund ta kishte konsideruar Zhuljeta atë, ai e kishte pasur vetëm një shoqe të mirë. Veç kësaj, sipas Arjonit, ajo kishte qenë e vetmja që i ishte afruar dhe i kishte dhënë miqësinë e saj, gjë që nuk e kishte bërë asnjë nga vajzat e tjera.



"Bjordi dhe Adela shkojnë shumë!"



"Po iki pak te zysha ime!", ka thënë Bjordi dhe Arjoni ka marrë shkas për t‘i komentuar. Sipas tij, ata ishin një çift i bukur. Ai vazhdoi duke thënë se edhe pse Bjordi në fillim pati disa shkëndija me Mimozën, ai më shumë shkon me Adelajden. Adi ka thënë se ata të dy vërtet mund të shkojnë fizikisht si çift, por Adelajda është shumë e ndrydhur. Të njëjtën gjë ka thënë edhe Dritani. Sipas Arjonit, ajo këtë ndrydhje nuk e ka nga vetja, por janë të tjerët që e detyrojnë të jetë kështu. Ai vazhdoi duke thënë se atë e frenon frika se çfarë mund të transmetojë te të tjerët. Ndërsa sipas Adit, nëse do të donin të bëheshin më të famshëm, ata duhet të ishin më të hapur.



"Jashtë jam shumë ndryshe!"



Në dhomën e gjumit, Mimoza u ka treguar vajzave dhe Bjordit se po ta takonin jashtë shtëpisë së "Big Brother", "nuk do ta njihnin". Kjo për arsye se jashtë ajo ishte një njeri krejt tjetër, ishte shumë e hapur, shumë e qeshur, fliste gjithë kohës, ndërsa këtu ishte më e mbyllur dhe nuk po hapej aq shumë.



"Nuk pozoj për kalendar!"



Të gjithë banorët kishin dalë në verandën e shtëpisë për të bërë banjo dielli, dikush me rroba banje e dikush jo. Ndërsa rrinin pranë njëri-tjetrit, Adelajda vazhdimisht i thoshte Bjordit që të mos rrinte pa bluzë, të mos i ngrinte këmbët e pantallonave, veprim të cilin ai e bënte për të marrë sa më shumë rreze dielli. Ai i ka thënë se nuk mund të rrinte me bluzë apo pantallona të gjata në diell, vetëm sepse kishte turp ajo. "Po sikur ty të të thoshin të bëje një kalendar?", e ka pyetur ai Adelajden. Ajo i ka thënë në mënyrë kategorikisht të prerë se nuk do ta bënte kurrë, as për 100 mijë euro, shifër kjo e shtruar në diskutim nga Bjordi. "Rri ti rri, debile!". Adelajda i ka thënë se mbase ishte dhe debile, por i pëlqente kështu. Ajo ka thënë se nuk do ta kishte bërë kurrë, as nudo, as me rroba banje, sepse nuk e imagjinonte dot veten që ta shihnin të gjithë, apo ta varnin në muret e shtëpive, edhe kundrejt shifrës më të madhe të mundshme. Bjordi ka insistuar të dinte për çfarë arsyeje ajo nuk e pranonte dot këtë gjë dhe më në fund, pas këmbënguljes e më pas indiferencës së tij për të dëgjuar përgjigjen e saj, ajo ka thënë: "Feja".