Sot në Bibliotekën e Qytetit të Beratit "Vexhi Buharaja", do të organizohet prezantimi i librit ese "Arratisja nga burgjet e historisë(Çdo të thotë sot të jesh shqiptar), të autorit Piro Misha. Libri është botim i Shtëpisë Botuese Toena, e cila ka organizuar këtë prezantim në qytetin Beratit për të vijuar më pas në Gjirokastër.

Përmbledhja me ese e studiuesit dhe publicistit Piro Misha Arratisja nga burgjet e historisë, me nëntitull Çdo të thotë sot të jesh shqiptar, e cila është dhe një ftesë për debat në lidhje me identitetin e shqiptarit në shekuj dhe gjendjen aktuale të zhvillimeve sociale, e në mënyrë të veçantë intelektuale në botën shqiptare. Ky botim përmbledh një numër esesh të autorit, të cilat trajtojnë aspekte themelore të identitetit shqiptar dhe analizojnë problematikat e mprehta të tranzicionit post-komunist në Shqipëri. Eseja e gjatë Arratisja nga burgjet e historisë është një vetëshqyrtim i thellë, provokues  dhe shumëplanesh i procesit të formimit dhe zhvillimit të identitetit shqiptar. Qasja historike nga njëra anë dhe ajo problematike nga ana tjetër i japin mundësi autorit jo vetëm të shtrojë pyetje të vështira, por edhe të japë përgjigje  kurajoze. Janë pyetje që shpesh hezitojmë tia bëjmë vetes, por edhe përgjigje që më së shumti preferojmë ti shmangim. Çdo të thotë sot të jesh shqiptar? Si ka ndryshuar përfytyrimi që kemi për veten? Çefekt kanë pasur zhvillimet e ngjarjet traumatike të viteve të fundit në mitet, simbolet, kujtesa apo vlerat që lidhin së bashku një popull, i cili, pas një izolimi aq të gjatë nga bota e  ka të vështirë të krijojë një imazh për veten? Përse  vallë kemi mbetur kaq prapa nga popujt që na rrethojnë? Ku po shkojmë? Përse ndër të gjithë vendet ish komuniste të Evropës pikërisht Shqipëria pati (dhe vazhdon të ketë) tranzicionin post-komunist më të vështirë? Këto dhe shumë pyetje të tjera që Piro Misha shtron në librin e tij marrin përgjigje përmes paraqitjes së një numri të madh faktesh, opinionesh, citimesh që autori i analizon me kujdes. Libri ka një karakter polemik dhe shpreh pikëpamjet dhe qëndrimet e autorit në lidhje me çështjet dhe temat që trajtohen në libër.