DURRËS- Policia e Durrësit ka dorëzuar pranë filialit të NBG Bank, gjithë sasinë e grabitur mëngjesin e së premtes nga tre personat tashmë të arrestuar, ndërkohë që ditën e djeshme është vënë në pranga edhe një person i katërt. Plot 36 mijë euro, 10 mijë dollarë dhe 810 mijë lekë ka qenë shuma që është grabitur nga dy personat e arrestuar të nesërmen e ngjarjes, Dasho Jaupllari e Romeo Dapellai. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur dje se, vetëm 10 mijë lekë ishin shpenzuar nga Admirim (Luçiano) Elezi në qytetin e Vlorës dhe pjesa tjetër ka qenë e paprekur, ashtu siç edhe është marrë nga sporteli i arkës. Personi i katërt që është arrestuar për këtë ngjarje është Gentian Taipi, 36 vjeç, nga qyteti i Vlorës. Ai është arrestuar mëngjesin e djeshëm, në qytetin e Vlorës, dhe akuzohet për përkrahje të autorëve të veprës penale. Policia e Durrësit arriti që të nesërmen e grabitjes të arrestojë dy personat e parë, të cilët hynë me armë dhe morën me anë të kërcënimit të armëve një sasi të konsiderueshme në lekë, euro dhe dollarë. Dasho Jaupllari dhe Romeo Dapellai u arrestuan të nesërmen e grabitjes në Tiranë, ndërsa një ditë më vonë, në Vlorë u arrestua edhe Admirim Elezi, i cili i ka pritur dy grabitësit jashtë bankës, me autoveturën tip Ford Fiesta, me targa TR 9071 P. Në total, agjentët e Policisë së Durrësit kanë mundur të sekuestrojnë të gjithë sasinë e grabitur në bankë. Dy personave të arrestuar të nesërmen e grabitjes iu gjetën 24 mijë euro, 6 mijë dollarë dhe 600 mijë lekë, kurse personit të tretë që i priste jashtë bankës, iu gjetën ditën e djeshme në Vlorë shuma prej 12 mijë euro, 4 mijë dollarë dhe 200 mijë lekë. Pas arrestimit të personit të katërt, kjo grabitje tashmë është zbardhur plotësisht, ndërsa shuma totale e grabitur 36 mijë euro, 10 mijë dollarë dhe 810 mijë lekë, është sekuestruar nga policia, me përjashtim të 10 mijë lekëve të reja, që janë shpenzuar nga dy personat e fundit të arrestuar në Vlorë. Policia ka bërë të ditur se Romeo Dapellai dhe Dasho Jaupllari kanë qenë të dënuar në Greqi, pikërisht për këtë vepër penale, grabitje të bankës, vjedhje për të cilat janë dënuar me 12 dhe 14 vjet heqje lirie secili. A.K.