Kur ka kaluar më shumë se një vit që prej kohës kur ka marrë mandatin si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë një përmbledhje të punës së tij. Dhe, arritja më e madhe e Bashës, duket se është fakti që ka pritur 786 qytetarë në zyrën e vet.


Duke nisur nga data 05.08.2011 deri në datë 15.06.2012, vetëm kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, ka realizuar 41 takime, çdo ditë të premte, gjatë të cilave janë pritur në total 786 qytetarë.


Nisur nga vlerësimi i kërkesave për takim, rezulton se qytetarët gjatë këtyre takimeve kanë trajtuar kryesisht çështje të cilat kanë lidhje me punësimin, strehimin, ndërtimet pa leje, çështje pronësie, shqetësime komunitare (si: shtim të hapësirave të gjelbra, përmirësim i shërbimit në transportin urban, sistemim rrugësh, sistemim rrjeti kanalizimesh, shtimi qendrave të përkujdesit social sipas kategorive të interesuara ose në nevojë), si dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura të Bashkisë së Tiranës.


Të gjitha çështjet e diskutuara gjatë këtyre takimeve janë përcjellë në drejtoritë përgjegjëse, sipas rekomandimeve përkatëse të kryetarit të bashkisë. Deri tani rezulton se 591 kërkesa (75%) kanë marrë përgjigje nga strukturat përkatëse, ndërsa 195 kërkesa (25%) janë në trajtim.


Po kështu, drejtorët e bashkisë i kushtojnë qytetarëve 2 orë në javë, duke qenë në dispozicion të tyre për të diskutuar për shqetësimet që ata kanë.


Komunikimi përmes facebook-ut, letrave dhe e-mail drejtuar kryetarit, janë një mundësi e mirë për të dëgjuar zërin e qytetarit dhe adresuar drejt projektet në funksion të zgjidhjes së shqetësimeve të tyre, thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës.