-Kryeministri Berisha shprehet se në këto dy vjet është dyfishuar numri i studentëve në Universitete, si dhe janë dyfishuar bursat për arsimin profesional


Kryeministri Berisha përshëndeti sot pasdite punimet e Konferencës së katërt për Arsimin profesional në Europë dhe Azinë Qëndrore, e cila u zhvillua në hotel Sheraton, në të cilën marrin pjesë ministra dhe përfaqësues të ministrive të Arsimit të këtyre vendeve.


Kryeministri Berisha në fjalën e tij theksoi se arsimi profesional është një nga objektivat më madhore të qeverisë dhe do të bëhet çdo përpjekje për të inkurajuar zhvillimin e këtij arsimi, si një nga kushtet më themelore për orientimin e arsimit drejt ekonomisë së tregut.


“Jemi shumë të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për inkurajimin e arsimit profesional si një nga kushtet më themelore për orientimin e arsimit drejt ekonomisë së tregut. Në këtë kontekst mund t’ju them se ka filluar ngjitja. Në zbatim të strategjisë që kemi hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, Këshillin e Europës dhe institucione të tjera, ne presim që në një hark kohor 6 deri në 8 vjet, të balancojmë raportet ndërmjet arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional në vendit”, u shpreh Kryeministri Berisha.


Më tej, Kryeministri i bëri një përmbledhje të objektivave, si dhe arritjeve të qeverisë, lidhur me reformën në fushën e arsimit, duke theksuar këtu dyfishimin e buxhetit për arsimin gjatë katër viteve, rritjen e pagave për arsimtarët me 47 përqind, dyfishimin e pranimit të studentëve në universitete, etj..


Fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën për Arsimin profesional në Europë dhe Azinë Qëndrore:


“Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht për praninë tuaj sot në Tiranë. Gjithashtu, dua të përshëndes këtë Konferencë e cila trajton një nga problemet më të rëndësishme të sistemit arsimor në vend. Qeveria që unë drejtoj ka shpallur arsimin si një ndër përparësitë më madhore të saj. Në mbështetje të kësaj përparësie, qeveria ka vendosur të dyfishojë buxhetin për arsimin në këto katër vjet. Në dy vitet e para qeveria dëshmoi se ky objektiv do të tejkalohet. Po në këtë kontekst, disa nga objektivat madhore të këtyre reformave kanë qenë një ndryshim rrënjësor në trajtimin e arsimtarëve. Ne mund të jemi ndër më të paktat vende që në dy vjet kemi rritur pagat për arsimtarët 47 përqind. 
Dy vjet më parë në kemi patur një numër studentësh, për frymë, katër herë më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Unë kam kënaqësinë t’ju informoj se në dy vjet ne arritëm të dyfishojmë numrin e studentëve në vendin tonë nëpërmjet liberalizimit të plotë të universiteteve. Nga 52 mijë studentë që kishte në vitin 2005, këtë vit akademik u ulën në auditoret e universiteteve publike dhe private mbi 100 mijë studentë. Objektivi ynë është 140 mijë studentë, dhe ne jemi të sigurtë se do ta arrimë këtë.
Përmirësime thelbësore janë shënuar këto dy vite edhe në arsimin e mesëm me futjen e maturës shtetërore. Kjo masë ka sjellë një angazhim shumë më të madh të nxënësve të shkollave të mesme. Një transformim rrënjësor kanë pësuar dhe pranimet në universitete, të cilat bëhen tërësisht mbi bazën e pikëve dhe preferencave të shpërndara nga programe të informatizuara. Megjithatë, kjo konferencë prek një nga çështjet më të rëndësishme, arsimin profesional.
Arsimi profesional në Shqipëri ka patur një rënie shumë të madhe, dhe kjo ka ardhur për shkak të ndërrimit të sistemeve politike. Arsimi profesional në sisitemin e mëparshëm ishte në tërësi një arsim bujqësor. Rënia e kooperativave bujqësore, të familenturara tërësisht, e fermave shtetërore dhe ato të falimentuara, si dhe ndryshimet e mëdha demokrafike sollën mbylljen me shpejtësi të një numri shumë të madh shkollash profesionale. Ndaj, ne jemi shumë të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për inkurajimin e arsimit profesional si një nga kushtet më themelore për orientimin e arsimit drejt ekonomisë së tregut. Në këtë kontekst mund t’ju them se ka filluar ngjitja. Në zbatim të strategjisë që kemi hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, Këshillin e Europës dhe institucione të tjera, ne presim që në një hark kohor 6 deri në 8 vjet, të balancojmë raportet ndërmjet arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional në vendit.
Gjatë vitit që vjen ne do të hapim një seri shkollash të arsimit profesional në të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Në Shqipëri egzistojnë shkolla profesionale të shkëlqyera, të ngritura me ndihmën e vendeve mike. Vetëm pak javë më parë unë vizitova një prej tyre, e ngritur me ndihmën e Sëiss Contact në qytetin e Beratit. I kërkova të gjithë kryetarëve të bashkive dhe Ministrisë së Arsimit të organizojnë një Ëork Shop në atë shkollë, dhe të përpiqemi që modelin e saj ta krijojmë me shpejtësi në çdo bashki të vendit.
Për këtë vit, ne kemi dyfishuar bursat për arsimin profesional dhe jemi të vendosur t’i rrisim ato me shpejtësi, sikundër kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrin ndërtimin e një zinxhiri të tërë konviktesh në mënyrë që nxënësit nga zonat më të thella të kenë mundësi të ndjekin arsimin profesional. Në këtë kontekst, gjykoj se ka një vlerë shumë të madhe shkëmbimi i eksperiencës ndërmjet vendeve tona. Jo vetëm Shqipëria mund të ketë pësuar një rënie të tillë të arsimit profesional për shkak të rënies së sistemit, por një rënie të tillë mund të kenë pësuar dhe vende të tjera të cilat i kanë qenë nënshtruar kolektivizimit të sistemit bujqësor dhe shërbimeve të tjera. Ndaj, kjo konferencë është një rast shumë i mirë për secilin vend, por në mënyrë të veçantë për ne, të përfitojmë nga eksperienca dhe të nxisim me shpejtësi zhvillimin e arsimit profesional.
Në këtë kontekst një rol shumë të rëndësishëm kanë universitetet dhe fakultetet, të cilat duhet të krijojnë akademitë profesionale me qëllim që të japin edhe ato kontributin e tyre në arsimin e mesëm profesional. Një përpjekje më e madhe do të bëhet nga qeveria për të tërhequr sektorin privat dhe kontributin e tij në arsimin profesional.
Dua t’ju siguroj se në axhendën e qeverisë për reformën në sistemin arsimior, arsimi profesional përbën një nga objektivat më madhore.


Ju faleminderit!”