Tentoi të arratisej në vitin 1985 bashkë me 15 adoleshentë të tjerë, por përfundoi gjysmë njeriu

Prej vitesh nëpër rrugët e Kukësit njerëzit janë mësuar të shohin Gjyzen e moshuar, por mjaft energjike, e cila mban për dore djalin e saj Arsimin, rreth 44 vjeç. Shumë pak persona e dinë faktin që nënë e bir ruajnë të fshehur një histori shumë të dhimbshme, që zë fill në pranverën e vitit 1985 dhe lidhet me një ngjarje mjaft të bujshme, të pazakontë në atë kohë, kur 16 adoleshentë kuksianë, mes tyre Arsimi, tentuan të arratisen për në ish-Jugosllavi për të mbërritur në Amerikë, në botën e lirë. Arsimi ishte një nga tre adoleshentët që u kapën nga policia kufitare shqiptare dhe provoi pas gjashtë muajsh hetuesie Burgun e Burrelit deri në fund të vitit 1990, nga ku doli si një invalid i përjetshëm. “Desha lirinë dhe humba gjithçka”, thotë ai, duke nënqeshur i përlotur për jetën e tij të çuar dëm.


Arratisja

Familja e Arsimit, e zbritur nga fshati Orgjost i Kukësit, ka jetuar për shumë vite ëndrrën amerikane ku ndodhej i arratisur një nga xhaxhallarët e tij. Në vitin 1985 Arsimi mbaron shkollën dhe fillon punë në Parkun Automobilistik të Mallrave si xhenerik dhe siç tregojnë në lagjen ku banon, si edhe ish-punëtorë të brigadës ku ka punuar, ai shquhej si një djalë shumë inteligjent. Duke e parë të zymtë të ardhmen e tyre në Shqipëri, një grup adoleshentësh mblidhen rreth Arsimit me idenë për t’u arratisur jashtë vendit. Në ato vite arratisja klasifikohej si tradhti ndaj atdheut, por kjo nuk e trembi Arsimin, që ende nuk i kishte mbushur 19 vjeç. Ai planifikoi arratisjen së bashku me 15 adoleshentë të tjerë, kryesisht nga mosha 14 deri në 19 vjeç, shokët e lagjes dhe dy shokë të punës, pak më të mëdhenj në moshë. “Më thoshin, hajde na prij, se ti ke xhaxhain në Amerikë”, kujton Arsimi me vështirësi ngjarjen se si nisi arratisja dhe më pas kalvari i vuajtjeve. “Isha i ri dhe më hahej buka, lodhesha duke punuar në riparimin e makinave të rënda dhe në fund nuk gjeja asgjë në shtëpi. Kudo kishte mjerim dhe për këtë vendosa të iki”, kujton ai, duke shtuar se shokët e tij i kishte tërhequr ideja që në Amerikë kishte makina private. Nëna e Arsimit, Gjyza, kujton se nuk e kishte idenë se çfarë do të bënte i biri. “Ka qenë tip i shoqërueshëm, por nuk ma merrte mendja se do të arratisej. Na erdhi si bombë, ne kemi qenë të luftuar edhe më parë nga komunizmi, për shkak të kunatit dhe ky i vuri kapak”, tregon Gjyza, duke shtuar se prokurorët e asaj kohe ishin shprehur në gjyq, “shyqyr që na ra dorë”.


Kapja

Grupi prej 16 fëmijësh, siç komentohej në atë kohë, kishte zgjedhur pikërisht kufirin e gjelbër të zonës së Hasit në fshatin Pogaj, aty ku vija e kufirit ndante dy pjesët e fshatit përgjysmë dhe ku njerëzit mbushnin ujë në vijën e kufirit me turne. Në grupin e adoleshentëve bënte pjesë edhe një 17-vjeçar nga Hasi me inicialet N.K., i cili e njihte terrenin. Kështu, paraditen e 3 prillit të vitit 1985, i gjithë grupi prej 16 të rinjsh u nis drejt kufirit. Por nga rruga e gjatë dhe mungesa e ushqimeve një pjesë e grupit mbeti prapa dhe u kthye në shtëpi, pjesa më e fortë vazhdoi rrugën deri në malet e fshatit Pogaj. Aty, në mesin e natës së ftohtë, të ndarë në dy grupe u futën në guvat shkëmbore ku i zuri gjumi nga lodhja e uria. “Më kishte zënë gjumi bashkë me Nuhiun 17 vjeç dhe Nebiun 18 vjeç, u zgjova nga goditja me qytë pushke e një ushtari. Më goditi aq fort sa mbeta pa frymë”, kujton Arsimi, duke prekur me dorë vendin ku një nga brinjët e thyera e kishte kujtim pikërisht nga ai çast fatal. Ai tregon se më pas të tre i lidhën me tela me gjemba dhe i sollën në Kukës, duke i tërhequr zvarrë. “Në fillim nuk e kuptova nëse e kishim kaluar vijën e kufirit apo jo, për një çast mendova se na kapën rojat e huaja, por kur dëgjova sharjet ‘tradhtarë, tradhtarë, do t’ju pushkatojmë’, e kuptova se ramë në kurth”, kujton Arsimi. Më tej ai stepet, dridhet dhe qan me dënesë.


Nëna e tij, Gjyza, tregon se pas gjashtë muajsh hetuesi dhe torturash në Burgun e Kukësit ai kishte mbetur invalid i përjetshëm. Ashtu të sëmurë e kishin dënuar me tetë vjet burg, e kishin trajtuar si kryetar i grupit, ndërsa dy të tjerët e kapur në kufi si bashkëpunëtorë ishin dënuar më pak. Ka vuajtur 5 vite në Burgun famëkeq të Spaçit, prej nga ku doli vetëm në fund të vitit 1990.








#