Tiranë - Gjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar, indeksi i çmimeve pësoi rritje të lehtë dhe ndikimin kryesor në këtë drejtim e dhanë pijet alkoolike dhe duhani, por edhe arsimi.

Instituti i Statistikave bëri publike sot të dhënat e analizës së çmimeve për muajin që lamë pas, sipas të cilës ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0,7 %.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %. Sipas INSTAT, ndikim të madh ka pasur arsimi, me një rritje prej 11.2%.

Analiza e plotë:

Rritja vjetore në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi "Pije alkoolike dhe duhan" me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit "Shërbimi arsimor" kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" dhe "Mallra dhe shërbime të ndryshme" kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit "Komunikimi" kanë kontribuar me +0,10. Çmimet e grupit "Shëndeti" dhe "Transporti" kanë kontribuar respektivisht me -0,19 pikë përqindje dhe -0.07 pikë përqindje në ndryshimin vjetor.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "Shërbimi arsimor" me 11,2 %, pasuar nga grupi "Pije alkoolike dhe duhan" me 7,1 %, grupi "Komunikimi" me 3,9 %, grupi "Mallra dhe shërbime të ndryshme" me 3,1 %, etj. Çmimet e grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" u rritën me 0,4 %. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit "fruta" u rriten me 6,9 %, pasuar nga nëngrupi "qumësht, djathë e vezë" me 3,4 %, nëngrupi "peshk" me 2,2 %, etj. Çmimet e nëngrupit "vajra dhe yndyrna" u ulën me 6,4 %, pasuar nga nëngrupi "kafe, çaj e kakao" me 3,2 %, "zarzavate përfshirë patatet" me 2,7 %,etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "Shëndeti" me 5,6 % , pasuar nga grupi "Transporti" me 1,1 %.

Ndryshimi mujor i indeksit është 0,7 %. Krahasuar me muajin Nëntor 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "Ushqime dhe pije joalkoolike" me 2,0 %, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të nëngrupit "zarzavate përfshirë patatet" me 11,5 %. Çmimet e grupit "Pije alkoolike dhe duhan" u rriten me 0,7 %. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin "Transporti" me 2,2 %. Krahasuar me muajin Nëntor 2014 çmimi i eurodiezelit u ul me 7,6 dhe çmimi i benzinës u ul me 5,9 %. /Start/