Ministri i Arsimit i ka shuar të gjitha debatet, kur ka vendosur dje shenjën e barazisë mes arsimit privat dhe atij shtetëror. 

 Në fakt bëhej fjalë për subvencionimin e librave të arsimit 9-vjeçar, por njehsimi i dy lloj shkollimeve, ishte risia e tij e djeshme. Kjo risi është përkrahur edhe nga sindikatat e arsimit dhe nga kryetari i shoqatës prindër-mësues. Në konsultën e djeshme, tema kryesore ishte ndarja e fondit prej 2.8 milionë eurosh për kompensimin e çmimit të librave shkollorë. Propozimi i sindikatave ishte përqendrimi i kompensimit të librit shkollor vetëm për nxënësit e arsimit bazë, 9-vjeçar.
Subvencioni
Kjo ide është përkrahur dje edhe nga ministri. “Është një detyrim kushtetues që fëmijët të përfundojnë provimet e lirimit në mbyllje të arsimit bazë, tashmë 9-vjeçar, dhe ne duhet të bëjmë çmos me mundësitë që kemi, me mjete buxhetore, me resurset njerëzore, me çdo gjë tjetër që ka në dispozicion MASH-i, por edhe shoqëria, të kujdesemi që arsimi bazë të përfundojë sa më mirë nga të gjitha shtresat dhe grupmoshat përkatëse ta përfundojnë këtë cikël arsimor. Dhe instrumenti imediat që është në diskutim, është fondi për kompensimin e librit shkollor, që është afro 310 milionë lekë të reja, apo 2.8 milionë euro. Pra, siç e dëgjoni, më i lartë nga fondi që kishim në dispozicion në buxhetin e vitit të kaluar. Dhe ne jemi dakord, siç bëmë në vitin 2006, që këtë shumë ta drejtojmë tek arsimi bazë, i cili tashmë që kalon nga 8 në 9-vjeçar; vërtet përfshin një grup më të madh nxënësish, pra nxënës që për arsye të ndryshme arsimore dhe sociale, përveç të tjerave, u takon të ndiejnë një mbështetje edhe më të madhe nga shteti.” Përfaqësuesit e prindërve bashkë me sindikatat u shprehën dakord për përqendrim të kompensimit të librave në arsimin e detyrueshëm dhe mosdiskriminim në këtë fushë për sektorin privat. (4.3% e nxënësve të arsimit bazë frekuentojnë shkolla private).
Barazia
Por gjatë fjalës së tij, ministri ka barazuar subvencionin edhe për shkollimin privat. “Ne do t’i përmbahemi parimit të barazisë; arsimi është arsim, në kuptimin që përçon dije, njohuri dhe shprehi dhe nuk ka rëndësi nëse ofruesi i arsimit është publik apo privat, duhet t’i trajtojmë ata në mënyrë të barabartë. Si dhe, të përqendrohemi edhe në debatin tonë publik, më shumë se deri tani, tek arsimi parashkollor, pra tek kopshtet dhe të gjejmë mënyrat që ta përkrahim më shumë, duke filluar nga kompensimi i librit.” Ideja e Pollos për barazi është përkrahur menjëherë edhe nga krerët e sindikatave. Sipas tyre, “nuk duhet të ketë diskriminim midis sektorit privat dhe atij publik në arsim”. Sidoqoftë, çështja nëse shkollat bazë 9-vjeçare do të përfitojnë kompensimin e librit shkollor njëlloj si ato publike do të shqyrtohet më tej dhe në ditët e ardhshme. MASH-i do të bëjë publik qëndrimin final, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe aktet financiare.