13/05/2010 Ritmet e korrupsionit siç duket variojnë nga fuqia e agjencive ligjzbatuese që kanë për detyrë ta ndalojnë atë. Kësisoj, arsimi qëndron në majën e kësaj piramide gjigande e kanceroze për shoqërinë shqiptare. Burime të rezervuara pranë policisë së shtetit thanë se aktualisht shqetësimet kryesore për ritme galopante të korrupsionit vijnë nga drejtoritë arsimore të rretheve e aq më tepër këto muaj që ndahet “hallva”, për shkak të emërimeve të shtatorit. “Boshti kryesor mbetet arsimi, për shkak se në gjyqësor dhe shëndetësi janë kryer disa hetime, ka pasur edhe arrestime dhe për këtë shkak kemi mundur ta frenojmë disi këtë fenomen. E kemi të pamundur të kontrollojmë drejtorët e drejtorive arsimore në rrethe, për të cilët dyshojmë se pasurohen dita ditës nga llokma të majme, fatkeqësisht të pavërtetuara. Mijëra studentë kërkojnë të punësohen në arsim dhe për shkak të vendeve të pakta, korrupsioni është e vetmja zgjidhje për të dyja palët”,-thanë burimet policore, të cilat paralajmërojnë hetime në këtë sektor. Në krye të drejtorive arsimore që dyshohet se marrin para nën dorë janë 3 rrethe, Tirana, Elbasani dhe Korça, duke përfshirë edhe Drejtorinë Arsimore të Pogradecit si nëndegë të saj.


M. Mullai