Me pushkën në dorë e vështrimin e humbur në fushën e betejës Shote Galica mbart imazhin e një gruaje të bukur dhe pse në luftë. Portreti i saj në pikturë realizuar nga Ismail Lulani është një nga tablotë më të bukura ku ajo shfaqet.


E realizuar në 1974, kjo është një nga pikturat që sot ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Lulani ishte artist që i pëlqente të merrej me karakteret. Kjo shihet dhe në tablonë ku tre ndërtues të hidrocentralit shfaqen pranë njëri tjetrit, realizuar më 1971-shin.


Ismail Lulani ishte një nga piktorët e shquar shqiptarë të shekullit XX-të, ai ishte një nga artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e artit shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Piktori Ismail Lulani kreu studimet e mesme për mjekësi, por shumë shpejt do ti kushtohej plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë pikturës. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, gjatë viteve 1964 – 1968.


Në veprat e tij sidomos rreth viteve 80, ndjehet prirja drejt pasurimit të paletës piktorike e që gradualisht nga tabloja në tablo, e bën Lulanin të evidentohet si një artist me një stil të veçantë piktorik, i cili priret drejt dekorativitetit, motiveve të veçanta. Ismail Lulani dallohet koloriti i pasur dhe mënyra e vizatimit të personazheve.


Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit është e shumë e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale. Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës (1969).


Më tej Lulani do të ishte prezent me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat, konkurset lokale dhe kombëtare. Temat e tablove piktorikë të Lulanit ishin të inspiruara nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili), Gjergj Elez Alia, nga baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), nga historia e popullit shqiptar (Figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica).


Lulani realizoi tablo për disa figura, ngjarje të luftës nacionalçlirimtare, dhe nga periudha e ndërtimit të socializmit, veçanërisht nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë. Në pikturën shqiptare artisti Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, ai ka krijuar personazhe (figurat e malësorëve) që vizatohen në mënyrë të stilizuar.


Piktori Lulani ishte një artist që tërhiqej nga jeta e njerëzve të thjeshtë të zonës së veriut të Shqipërisë. Pas viteve 90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore shqiptare, që edhe më parë e tërhiqnin artistin.


Lulani ka krijuar cikle të tëra tablosh me këto motive që mund të grupohen dhe sipas stinëve të vitit: cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit, cikli i bariut me dhi. Ai mund të konsiderohet si piktori i Shqipërisë së Veriut. Ismail Lulani krijoi në dy sisteme shoqërorë të ndryshëm, por ai mbetet një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar të shekullit të XX-të.


Mund të kujtojmë disa nga tablotë e tij në vite: Skënderbeu në betejë, (1968); Ded Gjo Luli me trimat, (1969, GKA,Tiranë); Në hidrocentralin Mao Ce Dun (GKA, Tiranë), Peizazh malor, (GKA, Tiranë) si dhe tabloja Ndërtuesit e hidrocentralit (1974, GKA, Tiranë). Tabloja Ndërtuesit e Hidrocentralit, 1971, u realizua nga artisti për ekspozitën e 30 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në tablo janë pikturuar imazhet e tri punëtorëve , (portretet e tyre) janë paraqitur në plan të parë.


Dy portretet e planit të parë janë me pamje përballë e me kapele letre dhe shami të lidhur mbi krye kurse punëtori i tretë shikon jashtë tablosë në anën e majtë të saj. Në sfondin prapa janë pikturuar strukturat e makinerive të ndërtimit të hidrocentralit (vinça) dhe struktura ndërtimore.


Pikturimi i peizazhit është realizuar me dritë të fuqishme dhe me një gjuhë piktorike dekorative, ndërsa portrete pikturohen me ngjyra të ngrohta e me kalime tonesh dhe gjysëm tonesh delikatë që japin karakteret dhe fizionominë e veçantë të secilit prej tyre.


Piktori Lulani nëpërmjet kësaj tabloje evidenton artistikisht vlerën dhe kontibutin e njerëzve të thjeshtë në ndërtimin e veprave të mëdha siç janë hidrocentralet. Pikturimi nga ana e artistit Lulani i tablosë Ndërtuesit e Hidrocentralit,është mbajtur i ekuilibruar si tonalitete koloristike dhe tabloja ka dritë të fuqishme.


Piktori Ismail Lulani ka ekspozuar në shumë vende të Europës duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve në Francë, Austri, Itali, SHBA, Gjermani, etj. Në fondin e GKA, Tiranë ndodhen njëzetenëntë vepra të piktorit Ismail Lulani.


Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj. MEZURAJ MUZE, në Tiranë ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm me vepra të piktorit Ismail Lulani.


27 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)