Mesfushori i Bayern Mynihut Arturo Vidal duket se e ka gjetur çelësin e suksesit për ndeshjen ndaj Real Madrid-it në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.


Titulli i radhës në Bundesliga është vetëm katër fitore larg për bavarezët. Për rrjedhojë kampionët në fuqi të Gjermanisë mund të jenë totalisht të përqendruar te sfida e 12 prillit ndaj kampionëve në fuqi të Champions League-s.


I pyetur për këtë sfidë nga e përditshmja spanjolle AS, Vidal është përgjigjur duke bërë një krahasim midis Real Madridit dhe Atletico Madridit. Ky i fundit e nxorri jashtë kompeticionit elitar europian për klube Bayern Munich-un në gjysmëfinale, vitin e kaluar kur bavarezët drejtoheshin nga Pep Guardiola.


Do të jetë shumë ndryshe, sepse Real Madrid nuk luan i tërhequr mbrapa si Atletico. Real-i është një skuadër e madhe e cila do të vijë të bëjë ndeshjen e saj dhe të tregojë se është kampioni në fuqi. Do të jetë një ndeshje e bukur, të sfidosh një rival që ka të njëjtin nivel me ne, u shpreh ish-mesfushori i Juventus-it.


Sipas tij nevojitet përqendrim dhe mbi të gjitha efikasitet.


Çelësi është te përqendrimi i madh që duhet të kemi për të mos humbur topin, sepse ata do të tentojnë të përfitojnë në të gjitha rastet. Nuk besoj se do të luajnë për të dominuar, sepse ne e kemi gjithmonë kontrollin, por duhet të jemi të kuijdesshëm dhe të godasim sa më shpesh të jetë e mundur, përfundoi Vidal.


Ndërkohë një lajm jo i mirë mbërrin nga kampi i bavarezëve. Sipas francezes LEquipe Manuel Neuer duket se do të mungojë në përballjen e parë mes dy skudrave elitare europiane në çerekfinale të Champions-it. Pas operacionit në këmbë të enjten e kaluar, portieri gjerman lëviz me ndihmën e patericave dhe nuk është e sigurt nëse do të jetë gati për sfidën e 12 prillit.