Nga Sami Neza











Partia Socialiste shkallëzoi dje presionin ndaj qeverisë për shpërndarjen e kartave të identitetit falas, duke deklaruar bojkotimin e Parlamentit. Socialistët e aplikojnë fort presionin dhe e zotërojnë teknologjinë e tij në raste procesesh zgjedhore, sa herë që nuk janë ata në pushtet e rrjedhimisht nuk janë ata administratorët e procesit zgjedhor. Por sa qëndron argumenti i PS-së për çështjen e kartave të identitetit? Socialistët në fillim nuk ngritën problemin e çmimit të kartave, por problemin e kohës për aplikim. Ata e mbajtën këtë tezë për një kohë të gjatë, derisa u bindën se ai nuk ishte një argument përmes të cilit do të prodhonin ndonjë farë debati serioz ose indikacione, përmes të cilave identifikoheshin probleme në procesin zgjedhor. Para pak javësh e konvertuan atë nga një problem radhësh, në një problem social. Për ta avancuar dje në një problem politik, për shkak të të cilit ata ndërpresin aktivitetin parlamentar.


Problemi i kartave të identitetit nuk përbën sot as problem teknik, as problem social dhe as problem politik.


Nuk përbën problem teknik, për shkak se koha nga tani deri në zgjedhje është plotësisht e mjaftueshme për të përfunduar aplikimin dhe për të marrë kartën të gjithë qytetarët shqiptarë që votojnë. Koha e aplikimit për kartën është e barabartë si kohë fizike me kohën e votimit të një qytetari në çfarëdo qendre votimi. Rreth dy milionë shqiptarë arrijnë të votojnë brenda një ditë në mbi 4000 qendra votimi në të gjithë vendin. Qendra aplikimi për karta janë mbi 400. Me një krahasim, i bie që të gjithë qytetarët shqiptarë në qendra aplikimi me dy turne të mbarojnë brenda dhjetë ditësh. Meqenëse qeveria ka urdhëruar t’u jepet përparësi atyre që nuk kanë pasaportë dhe që janë më pak se gjysma, i bie që ky proces të mbarojë për pesë ditë. Praktikisht koha është e mjaftueshme dhe e bollshme, nëse i futim edhe një koeficient vonese për çfarëdo lloj arsyeje.


Nuk përbën problem social, për shkak se çmimi i kartave të identitetit është relativisht i vogël dhe se për shtresa të caktuara të popullsisë, pa të ardhura apo me të ardhura të pakta, si studentët, pensionistët, ata me ndihma ekonomike, qeveria ka marrë vendime që i shkarkojnë prej barrës së pagesës në një përqindje të madhe. Pjesa tjetër nuk paraqet probleme sociale të këtij lloji dhe kjo vërtetohet fare lehtë, nëse bëjmë një krahasim me shitjen e pasaportave. Deri tani janë shpërndarë mbi 1 milion pasaporta në të gjithë vendin me një çmim 5 herë më të madh sesa ai i kartës së identitetit. Njerëzit që kanë tërhequr pasaportat janë të të gjitha shtresave. Ndërkaq, nëse me pasaportë mund të sigurojë vetëm një numër të kufizuar shërbimesh, me kartë identiteti kryen të gjitha shërbimet që nga zëvendësimi i certifikatave deri tek aplikime nga më të ndryshmet në administratën publike. Pra kursehen para dhe kohë dhe mbajtësit e saj ndihen komodë në marrjen e shpejtë të shërbimeve, që u duhen prej zyrave të shtetit. Nëse PS dhe Rama si kryetar bashkie ka konstatuar probleme sociale, që do të ndikojnë në cilësinë dhe ngjyrën e votimit, atëherë ai të propozonte shtyrjen e pagesës së taksave të gjelbërimit dhe pronës tek bashkitë dhe komunat, e cila është pesë apo gjashtë herë më e madhe se çmimi i kartës. Me këtë rast, edhe ndihmonte nga pikëpamja sociale nëse ishte e nevojshme, edhe nuk dekurajonte të vetët për të marra karta identiteti, që do të thotë se nuk dekurajon të vetët për të shkuar në kutitë e votimit.


Problemi i kartave duke mos qenë as teknik dhe as social, është vështirë të kthehet në politik për sa kohë Kodi Zgjedhor ka kaluar në Parlament me miratimin e dy partive të mëdha dhe në të cilin është kushtëzuar votimi vetëm me dy dokumente, pasaportë dhe kartë identiteti. Nuk mund të kthehet në politik për sa kohë qeveria nuk ka shprehur kurrfarë mungese vullneti për përmbushjen e procesit të pajisjes me karta të të gjithë qytetarëve, duke përmbushur në një pjesë të madhe edhe kërkesat e opozitës. Problemet politike mbeten të njëanshme për sa kohë artikulohen vetëm nga zyrtarë politikë dhe nuk pasqyrojnë situatën e qytetarëve. Deri tani asnjë organizatë, shoqatë apo grup social nuk ka protestuar apo paraqitur kërkesa për të marrë kartat pa pagesë, me përjashtim të egjiptianëve pas një vendimi të qeverisë për t’ua dhënë falas ato romëve. Kështu që socialistët nuk kanë identifikuar deri tani në asnjë rast interesat e ndonjë grupi të caktuar social, për shkak të të cilëve ekzekutojnë presione politike ndaj qeverisë, duke tentuar të tensionojnë situatën parazgjedhore.


Përgjatë pluralizmit në Shqipëri, praktikisht socialistët kanë administruar të gjitha zgjedhjet me përjashtim të katër rasteve, parlamentaret e majit 1996, lokalet e tetorit 1996, lokalet e shkurtit 2007 dhe këto zgjedhje parlamentare. Nga dy prej tre rasteve të konsumuara, deri tani socialistët kanë përdorur mjete presioni dhe manipulimi. Një ditë para votimeve të vitit 1996, me mijëra fletë votimi u sekuestruan, ndërsa iu zunë zyrtarëve lokalë të PS-së në disa rrethe në jug të vendit. Ishte ky moment që shpërdoroi besimin reciprok politik për ato zgjedhje, të cilat edhe dolën jashtë kontrollit një ditë më pas. Në lokalet e vitit 2006, socialistët morën pjesë duke shënuar kështu të vetmin rast kur ata as nuk u ankuan për vjedhje votash dhe as nuk patën mundësi t’i vidhnin ato.


Në lokalet e vitit 2007, PS dhe veçmas kryetari i saj, ndërtuan një strategji presioni që çoi për herë të parë në shtyrjen e zgjedhjeve për gati tre muaj. Kontestimi politik në fillim të fushatës së presionit u rrudh në një çështje teknike certifikatash, që u zgjidh nga dy teknicienë të rangut të ulët të dy partive kryesore.


Tani ka filluar skema e re e presionit, e cila ashtu si në 2007, mbështetet në teknikalitete të procesit zgjedhor, por që fryhet si problem politik për të shmangur debatin elektoral dhe ndeshjen e alternativave, duke e shtyrë fushatën tek linja e cilësisë demokratike të procesit dhe votimeve të qershorit, një abuzim për të mbushur boshllëqet e tjera të garës, si alternativat qeverisëse etj.