Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk heq dorë nga kërkesa për rrëzimin e Qeverisë Thaçi. Deputeti Daut Haradinaj në emisionin "Rubikon" të KTV-së ka mohuar se iniciativa e tyre po bëhet për marketing elektoral apo që t’i ndihmojë PDK-së.

Haradinaj është i vetëdijshëm se kjo nuk do të arrihet pa ndihmë edhe të LDK-së dhe Vetëvendosjes, derisa e lë në ndërgjegjen e deputetëve për ta bërë një gjë të tillë.

Ai e akuzoi LDK-në pas takimit Thaçi- Mustafa për zgjatje jete të kësaj Qeverie, të cilën ai e quajti të dështuar.

Daut Haradinj duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare u shpreh i bindur në fitore të AAK –së dhe shtoi se kandidati i saj për kryeministër të Kosovës do të jetë vëllai i tij, Ramush Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për kryetarin aktual të Pejës Gazmend Muhaxheri dhe me këtë rast ka përkujtuar fjalët që dolën para balotazhit se ka presione nga AAK dhe se fajtorë për vrasjet e pas luftës në Peje mund të gjenden tek AAK. Haradinaj theksoi se nëse vazhdohet me shpifje të tilla, shpifësit do të ballafaqohen me denoncime në gjyq.

“Nuk do të presim më”, tha ai, transmeton koha.net.




Haradinaj Pejën e quajti fuqi ekonomike dhe pasi theksoi se atje mund të ketë ende individë që e duan gjithnjë ekonominë e Kariqëve, konstatoi se bizneset atje kanë lulëzuar mu në kohën e udhëheqjes së AAK-së.

I pyetur nëse familja Haradinaj ka ndonjë biznes në Pejë, Daut Haradinaj ishte kategorik: “As unë, unë as vëllai im Ramushi, as familja ime Haradinaj, nuk kanë asnjë biznes, as në Pejë dhe as në Kosovë”.

Daut Hardinaj përfoli edhe letrën që ia ka dërguar kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti të tregojë se kush është pronar i ndërtesës “Pandora” në Prishtinë për të cilën në opinion spekulohet të jetë ai.

Kjo është shpifje e SHIK-it që tash e tetë vjet flet për mua si pronar i Pandorës dhe kërkoi që të thuhet zyrtarisht dhe publikisht se kush është pronar i saj, tah Haradinaj.




“Këtë e di shumë mirë komuna, pasi ajo ka dhënë lejen për të”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për zhvillime të tjera ekonomike e politike në vend.