Një konflikt xhelozie për pak sa nuk u kthye në tragjedi dje paradite në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Një i ri ka shmangur sigurinë e spitalit dhe ka tentuar të vrasë një mjek në ambientet e tij të punës. Burime nga policia e kryeqytetit thanë për gazetën “Shqip” se “Besnik Nikoçi ka kanosur me armë mjekun e specialiteteve, Besim Lami, për motive të dobëta”. Sipas policisë, i riu ishte kthyer vetëm 11 ditë më parë nga Franca dhe dyshonte se ish-gruaja kishte lidhje me mjekun. Madje, sipas burimeve policore, autori i dyshuar i ngjarjes ishte divorcuar një vit më parë me gruan, por nuk dihen ende motivet e vërteta të agresionit.
Historia
Ngjarje e rëndë është shënuar dje në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku një mjek ka rrezikuar të vritet me armë zjarri. Sipas policisë, rreth orës 11:00, shtetasi Besnik Nikoçi ka hyrë në pavijonin e specialiteteve në Spitalin Ushtarak, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar sapo ka parë mjekun Besim Lami. Për fat të mirë asnjë nga plumbat nuk e ka kapur mjekun, ndërsa në atë moment është përfshirë në panik pavijoni, ku ndodheshin me dhjetëra persona, pacientë, të afërm të tyre dhe mjekë. Agresori, i cili ka qëlluar disa herë me pistoletë tip “Beretta”, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga uniformat blu.
Hetimi
Burime policore thanë për gazetën se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e mjekut, por ka ardhur si rezultat i xhelozisë së autorit ndaj ish-gruas së tij. Uniformat blu po hetojnë për një konflikt tërësisht personal mes mjekut Lami dhe shtetasit Nikoçi. Hetuesit kanë marrë në pyetje mjekun, ndërsa e gjithë ngjarja do të zbardhet me kapjen e autorit, i cili duhet të japë sqarime për sa ndodhi dje në Spitalin Ushtarak. Policia aktualisht është vënë në ndjekje të autorit dhe për kapjen e tij ka ngritur postblloqe rreth e rrotull zonës ku ndodhi ngjarja. Ekspertët do të hetojnë edhe faktin se si autori shpërfilli sigurinë në Spitalin Ushtarak, një prej spitaleve më të rëndësishëm në vendin tonë, që aktualisht është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj së Shëndetësisë. Nikoçi mundi të hyjë i armatosur në ambientet e këtij spitali dhe ka kanosur me armë dhe të shtëna pistolete një mjek në ambientet e tij të punës.
Precedenti
Një mjek u vra me armë zjarri më 2 tetor të vitit 2009 në spitalin e Durrësit, për motive që nuk lidheshin me profesionin e tij. Mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, u qëllua me armë zjarri nga Ali Lorja, i cili dyshonte se gruaja e tij, e vetëhelmuar, kishte pasur marrëdhënie me doktorin e spitalit të Durrësit. Autori i këtij krimi të rëndë u dorëzua në polici menjëherë pas ngjarjes dhe tregoi motivet që e shtynë të vriste mjekun, me të cilin kishte pasur edhe hyrje familjare dhe marrëdhënie biznesi. Pavarësisht motiveve, kjo ngjarje tronditi rëndë mjekët dhe mbi të gjitha vuri në pikëpyetje sigurinë e jetës së tyre gjatë kryerjes së detyrës.
#