Kredia


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, firmos marrëveshjen me UniCredit Bank


Cani firmosAustriakët japin 4 milionë euro kredi për ndërtimin e Ujësjellësit të Peshkopisë. Dje u nënshkrua Marrëveshja e Kredisë së Eksportit që do të sigurojë financimin e projektit të furnizimit me ujë të qytetit të Peshkopisë. Pala shqiptare merr përsipër kostot lokale, kurse projekti do të dorëzohet nga austriakët krejtësisht i përfunduar, i ndërtuar dhe gati për tu implementuar, ose ndryshe me çelësa në dorë. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, morën pjesë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ambasadori i Republikës së Austrisë në Tiranës, Thomas Schnöll, Gerd Rode, senior manager i UniCredit Bank Austria dhe autoritete të tjera. Ministri Cani u shpreh pas nënshkrimit se Marrëveshja e Kredisë së Eksportit, që u nënshkrua me Unicredit Bank Austria, mbështetet në Marrëveshjen e dytë të Bashkëpunimit financiar ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Austrisë, nëpërmjet së cilës qeveria austriake vë në dispozicion kredi të buta për financimin e projekteve prioritare për zhvillimin e vendit. Kjo marrëveshje përkon një ditë para vizitës në Tiranë të Presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili do të jetë i pranishëm në Forumin Ekonomik mes dy vendeve. Ndërsa ambasadori austriak në Tiranë, z. Thomas Schnöll u shpreh pas ceremonisë se: Më lejoni të shpreh lumturinë time të madhe që bisedimet dhe negociatat me Ministrinë e Financave prodhuan një rezultat të kënaqshëm sot, duke firmosur Marrëveshjen e kredisë së butë për financimin e Projektit të Furnizimit me Ujë të Peshkopisë. Shpreh mirënjohjen time për mbarëvajtjen e negociatave dhe vendimmarrjes lidhur me këtë projekt dhe falënderoj palët e përfshira në këtë transaksion. Furnizimi me ujë është një nga elementet më kryesore në zhvillimin tonë dhe të Shqipërisë, për sa u përket kredive të buta, por dhe për Agjencinë e Zhvillimit Austriak (ADA Austrian Development Agency). Projekti i furnizimit me ujë në komunitetin tuaj është shumë i rëndësishëm edhe në kuptimin e një projekti të qëndrueshëm, e ne gjithnjë përpiqemi që të implementojmë projekte të qëndrueshme në periudhën afatgjatë. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme për vendin dhe ne përpiqemi gjithmonë që të jemi në linjë me standardet europiane, pasi ne duam të mbështesim vendin tuaj në rrugën drejt Bashkimit Europian, u shpreh përfaqësuesi i UniCredit Bank Austria, Gerd Rose. Në periudhën 2003-2008 janë kryer rehabilitime të pjesshme në rrjetin shpërndarës të Ujësjellësit të qytetit të Peshkopisë. Nëpërmjet këtij financimi synohet zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës, si dhe sigurimi i një shërbimi të qëndrueshëm dhe me kosto të përballueshme për konsumatorët. Afati i zbatimit të punimeve është 18 muaj.


Ky shkrim Austria, 4 milionë euro për Ujësjellësin u publikua me pare te Gazeta SHQIP.