Nga Express më 08 qershor 2011 në ora 11:40

Telekom Austria ka shfaqur interesimin e vet për të blerë 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës. Kjo kompani do të ofrojë një çmim prej 300 deri në 350 milionë euro, shkruan sot gazeta vjeneze "Die Presse".



“Jemi të interesuar të blejmë Postë Telekomin e Kosovës“, i ka thënë gazetës vjeneze Die Presse një zëdhënëse e Telekom Austrisë. Megjithatë, ajo ka theksuar se Telekom Austria ende nuk ka marrë nën llupë bilancin e PTK-së. Ajo nuk ka folur as për çmimin, por as për kohëzgjatjen e procedurave.



Në garë për blerjen e ndërmarrjes më fitimprurëse publike në Kosovë, përveç Telekom Austria, është edhe Telekomi Gjerman, konfirmoi para disa ditësh Ministria e Zhvillimit Ekonomik.



Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës shpresojnë të fitojnë një shumë prej 600 milionë eurosh për 75 për qind të shitjes së PTK-së.



Por, Die Presse, shkruan se nga burime brenda Telekom Austria ka marrë vesh se kjo kompani do të ofrojë një çmim prej 300 deri në 350 milionë euro. Vëzhguesit e rrjedhave ekonomike kanë hequr një paralele me privatizimin e Telekomit të Serbisë. Qeveria në Beograd kishte kërkuar 1.4 miliardë euro, por Telekom Austria kishte ofruar një çmim shumë më të ulët.



Telekom Austria shkruan Die Presse kishte konkurruar për dy licenca te telefonisë mobile në vitin 2007 në Kosovë por ishte kthyer duarthatë. Aktualisht, shkruan Die Presse kundër PTK-së janë duke u zhvilluar hetime për korrupsion për shkak të dhënies së licencës. Vitin e kaluar për këtë qëllim Euleks kishte bastisur zyrat e PTK-së.