Dorina Stafa


Dhimbjen e dy familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në aksidentin tragjik të Himarës ditën e djeshme, e ka shtuar edhe një gabim nga ana e autoriteteve shtetërore.


Mësohet se trupat e pajetë të dy vajzave, Dorina Stafës dhe Eriola Xhoit janë ngatërruar. Trupi i Eriola Xhoit, ishte dërguar tek familjarët e Dorina Stafës në Krujë, ndërsa ai i Dorinës në Elbasan.


Trupat u ngatërruan nga ata që kryen verifikimet. Erdhën nga Elbasani dhe na komunikuan ngatërrimin, shprehet babai i Dorinës.


Ndërkohë, në një mesazh të postuar dy javë më parë, Dorina shprehej se nuk ka frikë nga asgjë, pasi Zoti ndodhet kudo me të.


Je gjithmonë me mua, kudo që të jem, kur shpesh qaj dhe sigurisht qesh, je mua kudo që unë hapat hedh, je me mua në shkollë,shtëpi, në rrugë, në gjumë, në mendime e madje dhe në ëndrra, më do pafund dhe shumë e di sepse e ndjej. Dhe është e kuptueshme, ti ndryshove jetën time, karakterin tim, e gjithçka të të them sa shumë të dua, sta them dot, por zemra ime është mbushur me plot dashuri për ty zoti im. Faleminderit që më krijove dhe je mua në çdo moment të jetës tokësore që jetoj, shkruante Dorina.


Dhe tashmë ajo është me Zotin e saj. Veçse jo në tokë, në qiell.