"Trojet shqiptare janë një pjesë e rëndësishme e historisë bizantine". Kështu është shprehur gjatë një takimi të djeshëm me historianët shqiptarë, Averil Cameron, profesoreshë e lashtësisë së vonë dhe e historisë së Bizantit në Oksford, njëkohësisht drejtore e kolegjit "Keble". Cameron i ka kushtuar një libër të tërë Bizantit, periudhës dhe vendit të paqartë që zë në historinë evropiane. Para pak kohësh, ky botim ka ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese "Dituria". Ndërsa dje, në sallën amerikane të Bibliotekës Kombëtare, studiuesja ka hedhur në një tryezë debati me specialistë shqiptarë të fushës tezat kryesore mbi të cilat ndërtohet libri. Aleksandër Meksi, Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Luan Malltezi etj., kanë theksuar se ky botim dallon për hapësirën që Cameron u kushton në këtë libër trojeve shqiptare, deri më tani të shmangura nga histori të shkruara nën ndikimin e ideologjive, ku ka mbizotëruar më së shumti sllavizmi. Studiuesja e ka vizituar edhe më parë Shqipërinë. Ndërsa thekson se disa qytete shqiptare, siç janë Durrësi, Butrinti, Apolonia, kanë një vend të rëndësishëm në historinë bizantine. "Durrësi është vend shumë i rëndësishëm. Duhet të kemi parasysh se është fundi i rrugës Egnatia, është porta mes Lindjes dhe Perëndimit që bashkon popullata, kultura të ndryshme. Të gjitha këto kalonin përmes Durrësit të asaj kohe. Shkodra po ashtu ka një vend të rëndësishëm. Të gjitha qytetet e vjetra shqiptare janë të veçanta. Një ndër ta është edhe Berati, por për disa prej tyre ne dimë më shumë. Gjithçka varet se sa informacion ne kemi", shprehet Averil Cameron. Në librin e saj ajo ka përfshirë edhe dy-tri harta për territoret shqiptare, duke e shtrirë historinë në Kosovë dhe në Maqedoni. Por ashtu si edhe vetë studiuesja e thekson, për mungesë të informacionit apo edhe të orientimeve të mundshme, historia bizantine mbetet ende e errët. Aq më shumë edhe për pjesën shqiptare. "Ju keni një gjuhë të vështirë dhe duhet kohë që të mësosh e të konsultohesh me materiale të shkruara. Për këtë arsye, për mua është pak e errët historia bizantine e pjesës shqiptare. Por gjërat ndryshojnë. Shumë njerëz shkruajnë për Shqipërinë. Nga ana tjetër, nëse do të keni më shumë libra kombëtarë, atëherë më shumë njerëz do të interesohen", shprehet studiuesja amerikane. Ndërsa historinë e Bizantit ajo e sheh të komplikuar për t‘u paraqitur. Cameron thekson se "Historia e Bizantit ndryshon vazhdimisht. Njerëz të kombësive të ndryshme janë bërë pjesë e saj. Kështu kemi sllavët, bullgarët, turqit, arabët në lindje. Ndaj, të menaxhoje perandorinë ishte e vështirë. Gjithçka ndryshon, por qendra e shtetit, Kostandinopoja, ishte një vend i mrekullueshëm në Evropën e asaj kohe dhe ishte më i madh se Parisi apo Londra. Kur të huajt vinin, mahniteshin". Ky libër e njeh lexuesin me historinë komplekse, karakterin etnik dhe identitetin e Perandorisë Bizantine. Libri fokusohet drejtpërsëdrejti te popujt e Perandorisë Bizantine, pikëpamjet e kulturën e tyre, dhe në mënyrën se si këta ndryshuan me kalimin e kohës. Rezultati është një vështrim i spikatur e i qartë për atë çka ishin bizantinët. Bota bizantine gjendej edhe aty ku takohej Islami i hershëm dhe Krishterimi, dhe bizantët patën të bënin dhe jetuan pranë myslimanëve, nga arabët në shekullin VII deri te turqit në shekullin XV. Pas botimit të këtij libri për historinë bizantine, Averil Cameron mendon se Bizanti është një përzierje mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe ajo të tillë e trajton edhe në librin e saj.