U nënshkrua sot memorandumit i bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, ENAC. Memorandumi në fjalë u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, Alessio Quaranta. Qëllimi i këtij Memorandumi është të thellojë dhënien e asistencës teknike Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, nëpërmjet hartimit dhe respektimit të një plani mbikëqyrjes së operimeve dhe funksionimit të Operatorëve Komercialë Ajrorë Shqiptarë dhe atyre të huaj. “Metodologjia që do të përdoret gjatë zhvillimit në praktikë të këtij plani do të jetë e bazuar në standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, ICAO, Agjencisë Evropiane të Sigurisë Ajrore, EASA, rregulloreve të operimit dhe funksionimit të Operatorëve Ajrorë të Bashkimit Evropian si dhe në bazë të praktikave më të mira të Entit të Aviacionit Civil Italian, ENAC”, u shpreh Mazniku. Nëpërmjet këtij Memorandumi, sipas tij, do të arrihet në përmirësimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Aviacionit Civil, në rritjen e nivelit të performancës si dhe në përmbushjen cilësore të objektivave afatshkurtra që ky autoritet ka per tú bërë pjesë përbërëse funksionale e familjes Evropiane. Ndërsa gjatë fjalës së tij, Alessio Quranta, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi, një shenjë tjetër e thellimit të miqësisë mes dy popujve tanë, është i rëndësishëm për thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian.