TIRANË- Mbrojtësi ligjor i kunatit të Dritan Dajtit i arrestuar ditën e ngjarjes shtetasi Ergest Xhoxhi dy ditë më parë ka pritur për një vizitë një orëshe në ambientet e paraburgimit "Jordan Misja" avokatin e tij të zgjedhur nga familja Arben Qeleshi. Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të paraburgimit "Jordan Misja" (313), të cilët saktësuan se në dhomën e takimeve avokat klient është zhvilluar një takim mes avokat Qeleshit dhe të arrestuarit Xhoxhi. Nuk bëhen të ditur detajet e këtij takimi, por, saktësuan se ai ka zgjatur vetëm një orë, ku Xhoxhi përpos të tjerave ka firmosur ankimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhënë më 10 gusht të përgatitur nga avokati për në Gjykatën e Apelit.



Takimi i tillë është konfirmuar edhe nga vetë avokati Qeleshi, i cili nuk ka preferuar të jap detaje nga ky takim, duke mjaftuar me fjalët "Shtetasin Ergest Xhoxhi e kam takuar ndërsa Dritan Dajtin jo, akoma"-ka thënë ai për "Shekullin". Sipas avokatit, nga Gjykata e Apelit do të kërkohet lirimi nga masa e sigurisë "arrest me burg" të shtetasit Ergest Xhoxhi, pasi nuk është Gjykata e Krimeve të Rënda kompetente për shqyrtimin e kërkesave të masës së sigurisë për veprën penale për të cilën akuzohet klienti i tij, atë të "përkrahjes së autorit të krimit". Në fund të bisedës avokat Qeleshi, u shpreh se "në ditët në vazhdim do ta takoj edhe shtetasin Dritan Dajti, pasi jam zgjedhur nga familja për mbrojtjen e interesave të tij ligjore".