26/03/2010 Nga gushti i kaluar pa rroga


TIRANË-Avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata në proceset penale, nuk janë paguar që nga muaji gusht i vitit 2009. Këtë fakt e pohojnë pothuaj të gjithë avokatët e kësaj kategorie, ndërkohë që vazhdojnë të jenë të gatshëm dhe në pritje të seancave gjyqësore. Të pyetur për këtë problem që nuk është i vogël, avokatët shprehen se nuk janë paguar, por vazhdojnë të paraqiten në zyrat e gjyqtarëve kur ata i kërkojnë. Sipas tyre, kjo bëhet për dy arsye. E para, është të mos humbin interesin e gjykatës dhe të jenë të lidhur në punë dhe e dytë, shpresojnë që një ditë ato para do i marrin. Një prej avokateve Mirela Rate u shpreh se: “Është e vërtetë që ne nuk jemi paguar që nga muaji gusht i vitit të kaluar, por është po aq e vërtetë që ne nuk jemi larguar nga gjykata dhe vazhdojmë të marrim në ngarkim të pandehur që kanë nevojë. Nuk jemi paguar vetëm nga Gjykata Penale e Shkallës së Parë. Sa për Apelin, Prokurorinë dhe Krimet e Rënda, kanë qenë të rregullt në pagesën e tyre. Ndërkohë që në gjykatën e Tiranës na thonë se ende nuk janë çelur fondet. Numri i avokatëve që caktohet nga shteti është tepër i madh. Të pandehurit që kanë të drejtë të mbrohen nga kjo kategori janë ata që vuajnë nga ana ekonomike dhe ata që ndihen të braktisur nga familjet e tyre.