Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ta. Ermir Dobjani i kërkon ministrit të Transportit të marrë masa të menjëhershme


Laureta Rryçi



Tiranë - Në zyrën e Avokatit të Popullit që nga muaji dhjetor i vitit 2008 e deri tani kanë mbërritur dhjetëra ankesa nga qiramarrësit që kanë banuar dhe banojnë në pronat e ish-pronarëve. Këta kryefamiljarë ankohen në lidhje me pamundësinë e zgjidhjes së strehimit të tyre ndër vite. Shkak është bërë një vendim i qeverisë. Sipas këtij vendimi, personat e pastrehë, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët brenda datës 31 dhjetor 2008 nuk lidhin kontratën, apo që deri në këtë datë nuk kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim, sipas çdonjërit nga rastet e përcaktuara në këtë nen, humbasin të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës dhe trajtohen në bazë të programeve sociale të strehimit. Sipas këtij ligji, kjo kategori mund të përfitojë vetëm shumat financiare që parashikohen në ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, duke humbur përgjithmonë të drejtën e lidhjes së kontratës për banesën për të cilën paguanin qiranë prej vitesh. Duke e çmuar të padrejtë vendosjen e një afati të tillë, Shoqata e Qiramarrësve të Shtëpive Shtetërore, ish-pronë private, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të Nenit 9 të Ligjit 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.

Kushtetuesja

Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese konkludoi se Neni 9 i këtij ligji është antikushtetues, sepse cenon parimin e sigurisë juridike dhe shkakton diskriminim të një grupi, duke qenë kështu në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit. Për këtë arsye, me Vendimin nr. 11, datë 4.04.2007, kjo gjykatë vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të këtij neni që i vendoste afat qiramarrësve. Meqenëse nga shfuqizimi i dispozitës së mësipërme krijohet boshllëk ligjor, lidhur me trajtimin e qiramarrësve të shtëpive ish-pronë private, Gjykata Kushtetuese i “rekomandoi Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë të marrë masa për të bërë plotësimet e nevojshme në ligj”.

Rekomandimi

Sipas Dobjanit, meqenëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar e i formës së prerë dhe ka hyrë në fuqi prej kohësh, është e nevojshme që Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të iniciojë për hartimin dhe propozimin sa më parë në Këshillin e Ministrave të projektit për plotësimin e këtij neni. Avokati i Popullit rekomandon se kjo iniciativë duhet të përmbushet nga organet përkatëse përgjegjëse për të konkretizuar detyrimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që do të bëjë të mundur rregullimin e kësaj marrëdhënieje juridike. Dobjani i kërkon zyrtarisht ministrit Olldashi për ta vënë në dijeni nëse ka përgatitur ndonjë projekt për të realizuar plotësimin e këtij boshllëku ligjor, aq më tepër që aktualisht situata e qiramarrësve që banojnë në këto banesa, të cilat nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit, është e pasigurt dhe e paqartë. Çfarëdo që të ndodhë me ta, kur afati i fundit i qëndrimit në këto banesa, me cilësinë e qiramarrësve, ka skaduar që në datën 31 dhjetor 2008.





Neni që vuri në pikëpyetje strehimin e familjeve



Ligji Nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, me ndryshimet e bëra me Ligjin Nr. 9388, datë 4.05.2005 dhe Ligjin Nr. 9583, datë 17.07.2006, në Nenin 9 të tij ka përcaktuar: ”Personat e pastrehë, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët brenda datës 31 dhjetor 2008 nuk lidhin kontratën sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, apo që deri në këtë datë nuk kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim, sipas çdonjërit nga rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, ”c” e ”ç” të pikës 1 të këtij neni, humbasin të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës dhe trajtohen në bazë të programeve sociale të strehimit sipas Nenit 4 të Ligjit Nr. 9232, datë 13.05.2004 ‘Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane’. Subjekti i shpronësuar përfiton të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës në pronësi të tij”.





Berisha: “Për këto familje, zgjidhja është kredia e butë”



Vetëm dy ditë më parë, në lidhje me këtë çështje, kryeministri Sali Berisha u shpreh se qeveria do të parashikojë kredi të buta për këto familje. Sipas tij, në të gjithë vendin numri i tyre arrin në 3 mijë, të cilat vazhdojnë të jenë të strehuara me qira në banesat e ish-pronarëve. Berisha shpjegoi se këto banesa do të lirohen, për t’u vënë në dispozicion të pronarëve, në kuadër të kthimit dhe kompensimit të pronave. "Tre mijë familjeve, të cilat kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve, do t'u jepet kredi nga ana e qeverisë si shkëmbim për të liruar shtëpitë në të cilat banojnë aktualisht", - tha Berisha. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së të dy ditëve më parë, ai tha se ishin përgatitur të gjitha dokumentet që do t'u mundësonin banorëve të këtyre shtëpive kredi, në mënyrë që ata të lironin shtëpitë për të cilat ishte marrë vendimi, që u përkisnin ish-pronarëve. Në të gjithë vendin ndodhen rreth tre mijë familje, të cilat jetojnë në shtëpi që kanë rezultuar si pronë e ish-pronarëve. Sipas Berishës, Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit do të jetë institucioni shtetëror i cili do të lidhë edhe kontrata me banka të ndryshme të vendit, në mënyrë që këto familje të paguajnë kredi me këste shumë të ulëta për të blerë shtëpi të reja, në mënyrë që të lirojnë shtëpitë e ish-pronarëve. Nga kjo Ministri pritet që përveç sigurimit e kredive nga bankat, të vendosë edhe kriteret mbi bazën e të cilave këto familje do të mundin të marrin kredi. Në të njëjtën kohë, afati i shlyerjes së kredisë për secilën nga këto familje do të variojë nga 10 deri në 20 vjet. Në këtë mënyrë pritet të paguhen edhe kredi për familjet e tjera, të konsideruara si të pastreha në të gjithë vendin, duke paralajmëruar në këtë mënyrë pajisjen e këtij kontingjenti të pastrehësh me banesat e tyre nëpërmjet kredive të buta.





18 Shkurt 2009