Ekuadori i kërkoi Shteteve të Bashkuara të heqë dorë nga kërcënimet ndaj tij për shkak të shqyrtimit të kërkesës së ish-kontraktuesit të CIA-s, Edward Snowden.


Vetë presidenti i vendit amerikano-latin Rafael Correa deklaroi se nuk do të tërhiqet përballë presionit të Uashingtonit për këtë çështje dhe se vendi i tij do të shqyrtojë sipas ligjeve të veta kërkesën e Snowden për azil.


Në vazhdën e arrogancës së disa zërave në Shtetet e Bashkuara, që ushtrojnë presion për të hequr tarifat preferenciale për shkak të cështjes së Snowden, Ekuadori njofton sot se njëanëshmërisht dhe në mënyrë të parevokueshme heq dorë nga këto tarifa, deklaroi presidenti Correa.


Ai tha se është e patolerueshme që një shtet të delegjitimizohet për shkak të shqyrtimit të një kërkesë për azil.


Shtetet e Bashkuara kërcënuan me heqjen e preferencës tregtare për Ekuadorin nëse do ti japë azil Snowden.


Edward Snowden është një person i arratisur që vuri në rrezik sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Preferencat tregtare janë një privilegj i cili i ofrohet një vendi, por jo një e drejtë. I kërkoj presidentit Correa të hedhë hapin e duhur për të dy vendet tona duke i mohuar Snoëdenit kërkesën për azil, deklaroi senatori Robert Menendez.


Në 2012-ën, Ekuadori eksportoi ndër të tjera në Shtetet e Bashkuara 5.4 miliardë dollarë naftë, 122 milionë dollarë fruta e perime dhe 80 milionë dollarë peshk ton.


Ndërkohë, besohet se Snowden vazhdon të qendrojë i fshehur në Aeroportin e Moskës në pritje të një përgjigje nga vendi amerikano-jugor. Shanset e tij, edhe në rast mohimi të kërkesës për azil nga Ekuadori, nuk janë zero. Pasardhësi i Hugo Chavezit, presidenti venezuelian Nicolas Maduro e lavdëroi për guximin e treguar e thotë se mund ta merrte në konsideratë aplikimin e tij për azil.


Shtëpia e Bardhë vazhdon të pretendojë se Rusia ka bazë të qartë ligjore për të ekstraduar Edward Snowden-in dhe se duhet ta bëjë një gjë të tillë pa vonesë.