Ministrat e Jashtëm Evropianë ranë dakort te hënën të fillojnë negociatat me Rusinë për një marrëveshje të re partneriteti në klimën e acarimeve mes dy palëve për çështje të mbrojtjes, diplomacisë dhe energjisë.


Marrëveshja e Bashkimit Evropian për të filluar bisedime partneriteti me Rusinë i jep fund disa muaj kundërshtimesh nga disa vende anëtare lindore të BE-së. BE-ja dhe Rusia pritet të fillojnë bisedimet e partneritetit gjatë një takimi të nivelit të lartë muajin e ardhshëm.


Ministri i Jashtëm Dimitrij Rupel i Sllovenisë, vendi që mban presidencën e radhës së BE-së thotë se pret që diskutimet të zgjarin rreth një vit dhe ratifikimi një tjetër vit – megjithëse disa analistë parashikojnë se i gjithë procesi do të kërkojë disa vite. "Nuk do të jetë një proces i lehtë por ai ka filluar. Gjatë negociatave do të jemi në gjendje të qartësojmë të gjitha problemet që ekzistojnë midis BE-së dhe federatës ruse. Por në fund të fundit federata ruse dhe BE-ja janë partnerë dhe ne duam të punojmë së bashku".


Marrëdhëniet mes Brukselit dhe Moskës janë larg të qënit perfekt. Rusia kundërshton planet për dislokimin e një sistemi amerikan të mbrojtjes bërthamore në vendet anëtare të BE-së, Poloni dhe Republikën Çeke. Dhe disa vende të BE-së si Rumania janë veçanërisht të shqetësuara rreth lidhjeve të Rusisë me lëvizjet separatiste në Modavi dhe Gjeorgji.


Blloku i vendeve me 27 anëtarë është i shqetësuar gjithashtu nga varësia në rritje tek gazi rus, i cili furnizon rreth 25 përqind të nevojave të tyre. Analistit Michael Emerson nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, i cilëson disa nga ndryshimet BE-Rusi, veçanërisht lidhur me politikat ruse drejt ish republikave sovjetike, si të thella. Ai thotë se nuk është e qartë çfarë lloj partneriteti do të arrihet të krijohet. "Ka shumë skenarë. Njëri është se kjo marrëveshje do të rezultojë në një dokument thjesht deklarues ose në një dokument kornizë që do të çojë më vonë në negociata të mëtejshme detyruese mbi çështje kontrete. Ose mund të jetë një negociatë e rëndësishme që kërkon marrëveshje të detyrueshme dhe të rëndësishme për një gamë të gjerë çështjesh ekonomike dhe politike. BE-ja kërkon të dytën kurse Moska mendoj se do të parën".


Në se realizohet, marrëveshja e partneritetit të ri do të zëvendësojë një marrëveshje të nënshkruar në vitin 1997 kur çështjet me të cilat përballeshin të dyja palët ishin shumë më ndryshe nga ato me të cilat përballen sot. //rd//