>Promovohet libri Bizantinët. Për lexuesin vjen një histori ndryshe për identitetin e perandorisë bizantine
Bizantinët titullohet libri i fundit i studiueses Averil Cameron, i cili u promovua dje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Një libër i cili rrëfen për qeverisjen në kohën e Bizantit, si jetonte njeriu në atë kohë, arsimi dhe kultura. Në kapituj e këtij libri rrëfehen edhe lidhjet e Bizantit me Europën apo të Bizantit me Ballkanin. Duke qenë se në historinë europiane Bizanti ka zënë një vend të paqartë, ky libër  jep një ndihmesë kuptimplotë, për restaurimin e tij dhe për vendin e tij më se të drejtë në qendër të traditës historike të Europës.

Ky libër e njeh lexuesin me historinë komplekse karakterin etnik dhe identitetin e perandorisë bizantine. Në këtë promovim autorja e tij, u shpreh se ajo ishte me fat që e kishte vizituar Shqipërinë dhe se historia e vendit tonë e kishte ndihmuar shumë për të shkruar këtë libër. Ndihmesë e madhe për të kanë qenë dhe shumë udhëtime të tjera të bëra në Ballkan, ku ajo ka parë dhe zhvillimin e këtyre vendeve.
Unë kam shkruar shumë libra mbi Bizantin, ndërkohë që tani po përgatis një tjetër në lidhje me besimin që ata kishin. E kam vizituar Shqipërinë shtatë herë dhe mund të them se jam me fat, pasi këtu historia është e qartë, dhe më ka ndihmuar shumë. Unë i kam parë vendet për të cilët kam shkruar. Kam udhëtuar shumë në Ballkan dhe kam parë zhvillimin e tyre, por mendoj se në Shqipëri është bërë shumë punë arkeologjike, gjë e cila më ka ndihmuar shumë në punën time me librin. Unë përpiqem që në libër të jem sa më realiste, se si ka qenë Bizanti, lidhjet e tij me Europën dhe Ballkanin,u shpreh studiuesja Averil Cameron. Më tej studiuesja gjatë promovimit të librit vlerësoi për periudhën bizantine qytetin bregdetar të Durrësit, por ajo tregoi se interesante ishin dhe Butrinti por dhe Shkodra. Durrësi por dhe Butrinti është i rëndësishëm në periudhën e hershme, por mendoj që është Durrësi qendra shqiptare më e rëndësishme në atë periudhë, por dhe Shkodra gjithashtu, tregon studiuesja Cameron. Më tej ajo tregoi se në vitet 90 për periudhën bizantine në Amerikë është treguar një interes i veçantë. Interesimi më i madh për periudhën bizantine ka filluar besoj në fillim të viteve 90. Në Amerikë ka një qendër të madhe kërkimore dhe ata kanë një emigrant rus hebre që quhet Aleksandër Peshuan. Ai erdhi në perëndim në fund të viteve 70 dhe dëshironte që të përhapte dijet, njohuritë për bizantin në Amerikë, mes njerëzve të rinj.
Ai nuk ishte i interesuar shumë ta shihte anën tradicional të gjërave, në histori, apo në kishë. Ai ishte i interesuar për jetën e vdekshme, kulturën materiale, njerëzit e zakonshëm, mënyrën se si jetonin ata, tregon Camerun. Studiues dhe historianë të ndryshëm pjesëmarrës në këtë promovim u shprehën se libri i studiueses Averil Cameron shënon një sukses në portretizimin dhe karakterizimin e qytetit bizantin. Libri fokusohet drejtpërsëdrejti te popujt e Bizantit, pikëpamjet dhe kulturën e tyre, në mënyrën se si kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Rezultati është një vështrim i spikatur e shumë i qartë mbi atë çka ishin bizantinët.

Pjesë nga libri Bizanti

Për shumicën e historianëve Bizanti është një mungesë. Pra ka vëllime të ndryshme, në vende të ndryshme dhe autorë e studiues të ndryshëm, ku Bizanti nuk gjendet askund. Por dy libra të kohëve të fundit, për fundin e Perandorisë Romake nuk kanë më shumë se një përmendje të shkurtër të faktit që Perandoria Romake në Lindje nuk ra, por vazhdoi me pushtimin e Kostandinopojës nga osmanët në 1453.. Ndërkohë që një studim për Euroazinë, në shekullin e XI- të nga një këndvështrim historik- botëror vetëm sa vëren që edhe disa specialistë për Bizantin kanë pyetur veten pse reforma dhe rilindje e tij në këtë shekull ishin kaq më pak rrënjësore sesa homologet latine. Së fundi-edhe tashmë nuk është më befasuese- Bizanti mungon edhe në diskutimin për lindjen e individit (perëndimor) e kështu me radhë. Pra, Bizanti zë në histori një vend të papërcaktuar. A ishte ai pjesë e Evropës apo i përkiste më shumë Lindjes? Si pajtohet historia e ortodoksisë me konceptin e Krishterimit perëndimor? Një tjetër pikë e paqartë është roli i Bizantit në kryqëzata, disi i barazpeshuar midis Perëndimit latin dhe Lindjes saraçene. Të shkruarit për Bizantin paraqet në mënyrë të kuptueshme disa sfida. Në radhë të parë duhet kapërcyer paragjykimi që ekziston ende ndaj Perandorisë Lindore dhe stereotipet që e rrethojnë atë. Bizantinët janë të ndryshëm nga shumica e popujve të tjerë në këtë seri, jo vetëm sepse ata nuk ishin një popull në kuptimin etnik, por edhe sepse shteti i tyre zgjati për shumë shekuj, gjatë cilëve ai pësoi ndryshime, ndërkohë që edhe ruante disa prej karakteristikave të tij më të spikatura. Kalimi nga bota antike në atë mesjetare është sërish një temë në qendër të vëmendjes historike me Peter Barunin dhe të tjerë në anën e lashtësisë të vonë të gjatë, që shtrihet deri në rreth vitit 800 e.s,madje në disa formulime,deri në vitin 1000.
Nuk është e lehtë të përcaktohet se si përshtatet Bizanti në këtë model, por në librin Bizanti ky moment nis me përurimin e qytetit të Kostandinopojës nga Kostandini i Madh më 330 e.s. Qyteti i Kostandinopojës, seli e pushtetit perandorak për njëmbëdhjetë shekuj, me një ndërprerje të shkurtër nga viti 1924 deri më 1261, përbënte vetë qendrën e identitetit bizantin. Historia bizantine është e ndërlikuar me shumë popuj  dhe vende të pa njohur. Megjithatë një temë qendrore është perceptimi. Bizantinët ende vuajnë përfytyrimin për ta si njerëz të fshehtë, por Bizanti ka nevojë të normalizohet si temë për historianët. Megjithatë për historianin e Bizantit ka probleme të veçanta, për shembull që sasia e materialit të shkruar burimor është shumë madh, shumica e tij është letrare dhe teologjike dhe e dalë prej elitave të arsimuara dhe historianëve u duhet të punojnë shumë, po të duan të zbulojnë bizantinin e zakonshëm apo të mesëm, të cilin Norman Bejnsi e përmend si njeriun romak-lindor të rrugës. Dëshmia dokumentare është për nga vëllimi shumë më e vogël se materiali letrar, sepse arkivat shtetërore nuk mbijetuan pas plaçkitjes së Kostandinopojës dhe historiani duhet ti drejtohet analave kishtare apo lokale, atje ku ekzistojnë, apo arkivave të tjera si Venediku apo dokumenteve të tjera të ruajtura në burimet letrare ose herë-herë në dorëshkrime. Kanë mbijetuar mijëra vula prej plumbi, që dikur qenë vënë mbi dokumente dhe që mbartin informacion për zyrtarët që i kanë lëshuar ato, prej të cilave mund të nxirren përfundime për një praktikë të gjerë ekonomike dhe administrative,por ndërkohë që janë studiuar seriozisht dhe janë bërë publike, interesimi i tyre është një fushë shumë e specializuar. Për sa i takon dëshmive arkeologjike, ka pasur një shpërthim të punimeve arkeologjike për periudhën e lashtësisë së vonë apo periudhën  hershme bizantine, dhe kjo ka ndryshuar në mënyrë dramatike mënyrën me të cilën historianët e shohin këtë periudhë-nuk është shfaqur ndonjë shkallë interesi bë lidhje me periudhat më të më vonshme të historisë bizantine. Megjithatë në një libër të këtij lloji nuk mund të jetë dhe nuk përpiqet të jetë një histori e Bizantit. Sidoqoftë disa hyrje në historinë e Bizantit janë botuar kohët e fundit në anglisht dhe për shkak të mjeteve të tjera të referencës lehtësisht të disponueshme, kjo temë po bëhet më e kapshme.....

 *****************************************************
Beqir Meta: Botim interesant për historinë e Bizantit
Në këtë promovim mes studiuesve të shumtë merrte pjesë dhe historiani prof. Beqir Meta, i cili u shpreh se ky botim ishte me vlera interesante dhe vinte si një vëllim i veçantë tek lexuesit. Ndërkohë që ai vlerësoi dhe informacionin mbi historinë shqiptare në këtë libër, duke theksuar se duhet filluar për përgatitjen e një brezi të ri bizantologësh. Libri është një botim shumë interesant mbi periudhën e Bizantit. Ky libër ka një informacion mbi trevat shqiptare të asaj kohe dhe mbi të gjitha është shkruar nga një specialiste shumë e mirë dhe e afirmua