TIRANE - "Të kapet autori i vrasjes së vajzës sime. Nuk kam ç'e dua jetën pa të". Fjalët e babait të balerinës që humbi jetën afro tri javë më parë janë të pakta dhe përcjellin dhimbje, ashtu si edhe sytë e tij. Riza Tafa e ka shumë të vështire që të fshehë dhimbjen për humbjen e vajzës së tij të vogël, Sonilës. 57-vjeçari, me lot në sy nuk mundet që të fshehë as mllefin që ka ndaj strukturave të shtetit dhe organeve të drejtësisë, të cilat ende nuk e kanë arrestuar autorin e vrasjes së Sonila Tafës. "Policia nuk ka për ta kapur vrasësin, sepse ai është i afërm i drejtuesve të Policisë së Shtetit. Policia po e fsheh ngjarjen", janë fjalët që pohon babai i Sonilës. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", 57-vjeçari kërkon që shteti të gjejë vrasësin dhe ta dënojë maksimalisht atë. "Nëse shteti nuk bën gjë, unë nuk kam për ta lënë të gjallë autorin. Do e kërkoj edhe në skajin më të fundit të botës", pohon Tafa. Sonila u vra tri javë më parë në një lokal në kryeqytet, pas një sherri që nuk kishte lidhje me atë, por që plumbi e kapi gabimisht 25-vjeçaren, e cila nuk jeton më.
Si e morët vesh për vajzën tuaj?
Ka qenë ora 03:10 e mëngjesit kur më ra telefoni. Ishte vajza ime e madhe dhe më tha: "Babi, jam Sajmira. Jemi në Spitalin Ushtarak, se Sonila nuk është mirë, është helmuar se ishte në një ditëlindje". U nisa për në spital dhe atje më thanë se çfarë kishte ndodhur. Sonila kishte ndërruar jetë në vend. Plumbi i kishte hyrë në një anë të kokës dhe i kishte dalë në anën tjetër.
A pyetët juve se si kishte ndodhur ngjarja?
Po më thanë që kishte nisur një konflikt mes dy tavolinave në lokalin ku ishte edhe vajza ime. Sonilën e kishte ftuar shoqja e saj e ngushtë atë natë për të dalë. Vajza ime nuk kishte lidhje me asnjë prej djemve në tavolinat ku u zhvillua sherri. Më thanë që ishin zënë një grup të rinjsh dhe autori i ngjarjes bashkë me shokët që kishte në tavolinë ishte larguar, për t'u rikthyer sërish më vonë. Në media ka dalë që ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, por kjo nuk është e vërtetë, sepse në orën 04:00 kam qenë unë në spital, vrasja ka ndodhur nga ora 23:00. Më thanë që Sonila ka qenë jashtë në ato momente bashkë me grupin e shoqërisë së saj, me të cilët ka qenë edhe grupi i truprojave. Autori i ngjarjes, pasi ka ikur, është rikthyer me makinë pa targa dhe ka qëlluar në drejtim të grupit dhe jo në drejtim të derës së lokalit.
Juve keni kontaktuar me të afërmit e autorit të ngjarjes?
Ata kishin futur një mik të përbashkët për të na kërkuar që të vinin të pinin një kafe. Por ne nuk pranuam, si mund ta fal unë vrasësin e vajzës sime? Jam shumë i indinjuar me shtetin dhe forcat e policisë, të cilët nuk po e kapin vrasësin e vajzës sime. Nëse shteti nuk vendos drejtësi dhe nuk e arreston, unë do e gjej vetë dhe nuk do e lë të gjallë, edhe sikur të mos jetoj më, edhe sikur ta kërkoj në skajin më të fundit të botës.
Pse jeni të indinjuar me policinë?
Kanë kaluar afro 20 ditë nga vrasja e vajzës sime dhe policia ende nuk e ka gjetur se ku fshihet ai. Por sipas meje, policia po e fsheh autorin e krimit, sepse ai ka lidhje me nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, i cili pak ditë më parë u dekorua. Unë kërkoj vetëm që vrasësin ta shikoj në gjykatë dhe të marrë dënimin maksimal.
Po me vajzën tuaj, çfarë marrëdhëniesh kishit? Çfarë tipi ishte Sonila?
E doja shumë Sonilën dhe nuk më besohet se ajo nuk është më. Atë ditë doja që të futesha unë në arkivol në vend të saj, që ta mbaja në gushë. Sonila ishte tip i qeshur, i dashur, kishte shumë ëndrra, por ëndrra e saj më e madhe ishte baleti dhe që t'ua mësonte atë vajzave të vogla. Ajo e ka nisur baletin që në moshën 10 vjeç dhe mbaj mend që kur vinte nga provat, unë e ndihmoja me ushtrimet në shtëpi. Më duket sikur do të hyjë sërish nga dera dhe unë do të shkoj për ta përqafuar dhe ta puth në ballë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)