Bashkë me diplomën, këtë vit studentët do të marrin edhe suplementin ose siç njihet ndryshe shtojca. Ajo lëshohet për herë të parë për gjithë studentët që diplomohen në bazë sistemit të Bolonjës dhe marrin diplomë Bachelor të nivelit të parë. Modeli i Suplementit të Diplomës është hartuar nga Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe UNESCO. Ndërsa fakultetet shqiptare e kanë përshtatur atë në bazë të degëve të studimit. Ky suplement lëshohet në bazë të ligjit të arsimit të lartë miratuar në maj të vitit 2007. Me shtojcën e diplomës mund të lehtësohet edhe punësimi. Më saktë, informacioni që ajo përmban i shërben më shumë se kujtdo, punëmarrësit. I sapodiplomuari nuk paraqitet për punë vetëm me një "karton" dhe listë notash, por edhe me një përshkrim institucional për atë çfarë ka mësuar për tre vite. Në suplementin e diplomës do të ketë informacion të mjaftueshëm për të sapodiplomuarin, kursin universitar që ka ndjekur dhe stafin që e ka përgatitur. Ajo është një certifikatë në formatin A4 me dy faqe dhe përmban tetë pika, që duhet të plotësohen nga shefat e departamenteve. Nëse ndonjëra nga pikat nuk plotësohet duhet të jepet një shpjegim. Duke iu referuar formatit të suplementit të diplomës të fakultetit të Histori-Filologjisë, vëmë re se pika e parë është: informacion për studentin, ku shënohet emri dhe mbiemri, vendlindja, numri rendor i studentit ose kodi. Pika e dytë është: informacion që njehson kualifikimin dhe institucionin, ku shkruhet emërtimi i diplomës, emri i fakultetit, gjuha e mësimit etj. Në pikën e tretë, shënohen informacionet për kualifikimin dhe fushat kryesore të studimit. Në pikën katër është informacioni për kohëzgjatjen e studimeve dhe programet e studimit, komponentët, kurset etj. Shtojca duhet të nënshkruhet nga dekani i fakultetit dhe rektori i universitetit dhe duhet të ketë vulën origjinale të institucionit. Një pikë e veçantë është ajo e fundit, me numër tetë, që kërkon të futet informacion për sistemin arsimor në vendin tonë dhe llojin e institucionit (fakultetit). Për këtë duhet të përdoren burimet kombëtare të informimit. Ministria e Arsimit bën të ditur se pas periudhash të gjata diskutimi e seminaresh, shtojca e diplomës do të konkretizohet që këtë vit akademik. Ajo është një biografi kurrikulare, në të cilën përshkruhen gjerësisht të gjitha aftësitë e studentit. Krahas këtyre, edhe gjithë përgatitja kurrikulare gjatë studimeve universitare. Sipas specialistëve të arsimit të lartë, kur studenti të përfundojë studimet dhe të marrë diplomën, krahas notave lokale dhe ndërkombëtare (krediteve) do të ketë edhe shtojcën e diplomës. E përfolur prej vitesh në Shqipëri, pritet të shohë dritën jeshile këtë vit. Ajo është edhe një nga detyrat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për arsimin. Në bazë të planit kombëtar të zbatimit të MSA-së, Ministria e Arsimit angazhohet për implementimin masiv të suplementit të diplomës, si dhe për procedurat e njohjes së tyre. Në gjuhën zyrtare, suplementi i diplomës është një dokument që i bashkëngjitet shenjës, qëllimit të diplomës së arsimit të lartë dhe provon "transparencën" ndërkombëtare dhe ndihmon në njohjen e lehtë akademike dhe profesionale të kualifikimeve (diplomës, shkallët, certifikatave etj). Shtojca është përkrahur në shumë vende të Evropës, pasi është parë si një mundësi për mobilitetin e studimeve të studentit, nga njëri vend në tjetrin.





Modeli





Tetë gjërat që vërteton suplementi





Suplementi i ngjan një dëftese të shkollës së mesme, 2 faqe të lidhura në format A4. Ai mban kokën e universitetit përkatës dhe titullin e diplomës. Përpos diplomës së nivelit të parë Bachelor (3-vjeçar), vitet e ardhshme suplement diplome do të ketë edhe për diplomën e nivelit të dytë (2-vjeçar). Tetë pikat janë: Informacion që njehson studentin, informacion që njehson kualifikimin dhe institucionin, informacion për nivelin e kualifikimit, informacion për brendinë dhe rezultatet e fituara, informacion për funksionin e kualifikimeve, informacion shtesë, vërtetim i suplementit të diplomës dhe informacion për sistemin kombëtar të arsimit të lartë.