Kinema Millenium që sot do të fillojë projeksioni i filmit “Back up plan”. Gjatë fundjavës komedia romantike “Back up plan” që vjen premiere botërore edhe për publikun shqiptar, do të shfaqet në orën 12.30; 15.00 dhe 20.30. Ndërsa trilleri psikologjik “ Shutter Island ” do të shfaqet në orën 10.00; 18.00 dhe 23.00. Të bie në dashuri, të martohem, të kem fëmijë. Dhe nuk është e thënë që të gjitha të ndodhin sipas kësaj renditjeje”. Kështu mendon Zoe, protagonistja e komedisë romantike "The Back-up Plan" që do të shfaqet premierë botërore në kinema Millennium. Por asgjë nuk funksionon për heroinën e këtij prodhimi hollivudian që mishërohet nga këngëtarja -aktore Jennifer Lopez. Në lidhje me këtë gjini filmi, Lopez që i rikthehet kinemasë pas katër vitesh, është shprehur: "Më pëlqen të interpretoj në komedi; më pëlqen ritmi dhe romantizmi i tyre. I adhuroj vërtet dhe besoj se në këtë film kemi arritur të bëjmë diçka me të vërtetë të re. Kisha dëgjuar se skenari kishte një ton modern si për historinë që trajtonte edhe për personazhin tim. Pata menjëherë një ndjesi të bukur dhe nuk u gabova: filmi është zbavitës dhe në fund pak mallëngjyes". Në krah të Jenifer Lopez interpreton aktori i njohur Alex O'Loughlin, ndërsa regjia e filmit është nga Alan Poul.

Përurimi i Ditës së Letërsisë Spanjolle





Akademia e Arteve pret pianistët e rinj

Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë sot zhvillon konkursin kombëtar pianistik “Frederic Chopin”, një konkurs për pianistët e rinj, i cili parashikon edhe një koncert të laureatëve të tij në Galerinë “Jozef” në qytetin e Durrësit, në mbrëmjen e datës 26 prill, si dhe koncertin final të tij të këtij konkursi në datën 27 prill në AAB, ku do të ndahen edhe çmimet e këtij aktiviteti pianistik. Kremtimet e vitit në nder të kompozitorit Frederic Chopin në Shqipëri kanë nisur në muajin shkurt me një aktivitet kulturor artistik, organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “F.Chopin”, shoqatën e miqësisë Shqipëri Poloni, Qendrës Kulturore Tirana dhe ambasadave përkatëse franceze dhe polake në Tiranë, ku sheshit përballë Akademisë së Arteve iu dha emri i këtij kompozitori. Në kuadrin e vitit shopenian gjatë këtij muaji janë parashikuar të zhvillohen një sërë aktivitetesh, të cilat do të mbahen në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe në qytetin e Durrësit, duke përfshirë kështu edhe Shqipërinë në përkujtimet e kompozitorit të madh.



Çelet ekspozita “Na ishte njëherë Tirana”

Piktori, regjisori dhe skulptori i njohur Stefan Taçi ka prezantuar në mjediset e Galeri “Kledio” në kryeqytet ekspozitën e pikturës “Na ishte njëherë Tirana”. Kjo ekspozitë përmban një seri pikturash të cilat pasqyrojnë qytetin e Tiranës që nga viti 1973 (me fëmijërinë e autorit) e deri në ditët e sotme. Rrugët dhe rrugicat e Tiranës, si dhe përjetimet e autorit kanë zënë vend në kuadrin e këtyre pikturave. Ato janë punuar në teknika të ndryshme, bojë tushi, akuarel etj. Sipas autorit, Tirana ka një bukuri të tillë sa nuk mund të fokusohet në një pikturë të përmasave të vogla. Kjo është një nga ekspozitat e shumta të piktorit të njohur, i cili, përveç shumë çmimeve në vend dhe në evenimente ndërkombëtare, në vitin 2002 mori medaljen “Naim Frashëri” i argjendtë nga presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu. Ekspozita do të vijojë të qëndrojë e hapur për disa ditë me radhë.









23 Prill 2010