E ardhmja e futbollistit kosovar, Emir Bajrami mund të jetë në kampionatin holandez, përkatësisht tek ekipi Twente. Sipas mediave suedeze, udhëheqësit e klubit holandez dhe të Elfsborg, ku luan aktualisht Bajrami, kanë pasur një takim të premten mbrëma dhe kanë diskutuar rreth transferimit të mundshëm të futbollistit gjatë verës te kampioni i ri i Holandës.



E përditshmja suedeze, Sport Expressen shkruan se Twente i ka ofruar skuadrës suedeze 3.5 milionë euro për ta bërë të vetin kartonin e reprezentuesit suedez. Twente nuk është ekipi i vetëm i interesuar për Bajramin. Mesfushori me pasaportë suedeze ka zgjuar interesimin edhe nga dy klubet gjermane: Borussia Monchengladbach e Hamburg dhe skuadra franceze Valenciennes.



Edhe vetë Bajrami konsideron se ka ardhur momenti që ta bëjë një hap përpara në karrierën e tij. “Tash e dua një sfidë të re”, ka thënë mesfushori ofanziv.



Bajrami pati një sezon solid në pranverë me Elfsborg në elitën e futbollit suedez, duke i realizuar dy gola dhe tri asistime. Duket se edhe Elfsborg tashmë veç është pajtuar ta lirojë 22 vjeçarin për një ofertë eventuale prej 3 deri në 3.5 milionë eurosh. Nëse Bajrami shitet për këtë shumë të hollash, atëherë ai do bëhej njëri prej futbollistëve më të shtrenjtë që transferohet nga Suedia.