Emir Bajrami mund të ndahet me Twenten gjatë këtij dimri. Mesfushori kosovar karrierën mund ta vazhdojë në Serie A. Palermo ka shprehur interesim për 23 vjeçarin. Edhe pse ndihet mirë në Holandë, reprezentuesi suedez dëshiron të sprovohet në ndonjë ligë më të fortë, siç është ajo e Italisë.

Emir Bajrami karrierën mund ta vazhdojë në Serie A të Italisë. Palermo është skuadra e cila ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar gjatë afatit kalimtar të këtij dimri.

Lajmin e ka konfirmuar për Express Nysret Jashari - menaxher i mesfushorit të ekipit holandez Twente. Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të udhëtojë drejt Italisë për të biseduar me zyrtarët e Palermos rreth realizimit të mundshëm të transferimit të Bajramit.

Jashari ka treguar se edhe vetë reprezentuesi suedez dëshiron ta sfidojë vetën në ndonjë ligë më të fortës, siç është Serie A.

“Palermo ka shprehur interesim për Bajramin. Në fakt, Bajrami ndihet mirë në Twente, por ai është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe ambicioz. Ai dëshiron të sprovohet në ndonjë ligë edhe më të fortë sesa ajo e Holandës dhe dihet se Serie A është njëra prej ligave më të forta”, ka deklaruar Jashari për Express.

Sipas tij, gjasat janë reale që prishtinasi gjatë këtij dimri t’i bashkohet ekipit sicilian, pjesë e të cilit gjatë këtij muaji u bë edhe ish sulmuesi i Malmos, Agon Mehmeti.

“Unë do të udhëtoj drejt Italisë dhe do të bisedoj me drejtorin e Palermos. Mund të ndodhë që Bajrami t’i bashkohet Palermos gjatë këtij dimri, por kjo mund edhe mos të ndodhë. Bajrami si një lojtar i mirë ka çmim të lartë. Nëse Palermo arrin marrëveshje me Bajramin dhe me Twenten, transferimi mund të realizohet. Palermo është në krizë të rezultateve dhe duhet të ndërmarrë masa, andaj mund të ndodhë edhe transferimi i Bajramit”, theksoi Jashari.

Gjatë vitit 2010, Elfsborgu i Suedisë e kishte liruar Bajramin që t’i bashkohet Twentes për një shumë prej rreth 4 milionë eurosh. Kosovari me ekipin holandez kishte nënshkruar kontratë katërvjeçare.