Vepra
Do të ngjitet si bashkëpunim me “Balleto del Sud” të Leçes

“Carmen”, një nga baletet e njohura që vihet në skenat botërore, vjen edhe në Tiranë. Baleti me dy akte do të realizohet në datat 11, 12, 14 dhe 16 prill në bashkëpunim me “Balleto del Sud” të Leçes, me koreografi të Fredy Franzutti-t. Me muzikë të Bizet, Massenet, Charprier dhe Albeniz, pjesa do të vijë nën interpretimin e balerinëve shqiptarë së bashku me solistët e “Balleto del Sud”. Carmen do të interpretohet nga Enada Hoxha, për të cilën ky balet nuk është i panjohur, ndërsa të tjerë personazhe vijnë nga Gerd Vaso, Dion Gjinika, Rovena Shqevi, Evis Nallbani etj. Skenografia realizohet nga Francesco Palma, ndërsa dirigjimi i është besuar Francesco Libetta-s. I frymëzuar nga tregimi i Prosper Merimee, “Carmen” është një histori dashurie, por edhe krimesh. Në një fabrikë cigaresh, Carmen përleshet me një tjetër grua. Për t’i ndarë thërrasin Don Jose, i cili dashurohet menjëherë pas saj. I verbuar nga ndjenjat ai e ndjek pas Carmen, e cila duke përfituar nga ndjenjat e tij e shtyn të bëjë një krim. Ndërsa përpiqet të arratiset me të dashurin, Don Jose i pret rrugën dhe e vret me të njëjtën thikë me të cilën kishte kryer krimin e mëparshëm.








#