TIRANE - Deputeti socialist, Taulant Balla paralajmëroi dje, se ministri i Mbrojtjes Arben Imami do të hetohet për abuzimet me Ushtrinë. Në një koment në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Balla shprehet se Arben Imami po shet të tjerë avionë dhe helikopterë për skrap dhe njofton se tenderi bëhet më 26 gusht në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes synon që të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura. Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim. Nga konsultimi me ekspertë, vlera fillestare e shitjes është shumë herë më e ulët sesa vlera reale e tregut. Arben Imami dhe drejtues të tjerë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen gjerësisht për këto abuzime shkatërruese për Ushtrinë dhe ekonominë e trashëguar të Ministrisë së Mbrojtjes”, - tha Balla.

“Gjithashtu, - shtoi ai, - dihet se fitues i këtij tenderi të radhës do të jetë e njëjta kompani e lidhur ngushtë me Arben Imamin, tek e cila Ministria e Mbrojtjes vjel përqindjen çdo muaj. Tenderi do të mbahet më 26 gusht, në orën 10:00, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të dorëzohen edhe ofertat”, - sipas Ballës. Ai shprehet se, “shitja për skrap e avionëve, helikopterëve dhe e mjeteve të tjera të Ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë”, - u shpreh Balla.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)